Policia Rajonale në Ferizaj ka bërë apel tek shoferët e automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë drejtimit në mot me mjegull.

Policia njofton se ka filluar shfaqja/prezenca e mjegullës në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët, transmeton Telegrafi.


Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë disa rekomandime për shoferët për vozitje gjatë mjegullës:

- Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme! - Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. - Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe. - Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni! - Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë! - Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin.

Tutje, policia ka kërkuar nga shoferët që të mbajnë ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës, të mbajnë nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes dhe të mbajnë krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes./Telegrafi/