E përditësuar: Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është finalizuar me sukses një operacion i gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, i zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe institucione të tjera relevante.

Sipas Sveçlës, bazuar në të dhënat e siguruara nga AKI dhe pas një hetimi disamujore, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë institucionalë, të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime dhe korrupsion që lidhen me procesin e shpronësimit të pronave private.


Në mesin e të dyshuarve janë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, me inicialet J.M., zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., eksperti i gjykatës Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, zyrtari i ATK-së G.L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, me inicialet F.I.

Sipas dyshimeve të autoriteteve, personat e përfshirë kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Dyshohet se përmes korrupsionit kanë inicuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të realizuara gjatë viteve 2011–2015.

“Sot po i japim fund kohës kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar”, ka deklaruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, një sukses tjetër në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ai theksoi se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja e qytetarëve po sjellin rezultate konkrete drejt ndërtimit të një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të mbrojtur nga çdo formë e krimit.

Prokuroria Speciale bashkë me AKI e Policinë aksion të madh anti-korrupsion, ka të arrestuar

Një operacion masiv i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është duke u zhvilluar që nga pasditja e sotme.

Sipas burimeve të KosovaPress-it brenda Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar disa zyrtarë, ndërsa pritet të ketë edhe të tjerë.

Sipas informacioneve, aksioni ka nisur pasditen e së enjtes, rreth orës 16:00 dhe është duke vazhduar ende./Telegrafi/