LAJMI I FUNDIT:

Podujevë, 300 shoqëri bletësh për fermerët

Podujevë, 300 shoqëri bletësh për fermerët

Drejtoria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Komunës së Podujevës, ka vazhduar me subvencionimin e fermerëve, duke ndarë 300 shoqëri bletësh për 60 bletarë llapjanë.

Subvencionimi i fermerëve në të gjithë sektorët e bujqësisë vazhdon të jetë prioritet në investimet e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR) në Komunën e Podujevës.


Në kuadër të investimeve në këtë sektor, DBPZHR ka ndarë 300 shoqëri bletësh për 60 bletarë llapjanë (nga pesë shoqëri për secilin bletar).

Me rastin e shpërndarjes së shoqërive të bletëve për bletarët përfitues të këtij subvencioni, drejtori i DBPZHR, Vezir Januzi, tha se vitet e fundit Komuna në kontinuitet e ka përkrahur sektorin e bletarisë, meqë ky sektor është mjaft fitimprurës.

“Komuna edhe vitin e kaluar ka ndarë nga 5 koshere dhe pajisje e material tjetër për 60 bletarë. Duke parë se ekziston interesim i madh i fermerëve për tu marrë me bletari, ne do të rrisim investimet dhe subvencionimet në këtë sektor, prandaj për vitin e ardhshëm kemi trefishuar buxhetin për bletari. Nga 30 mijë euro sa kemi ndarë sivjet, vitin e ardhshëm do ta subvencionojmë bletarinë me 80 mijë euro”, tha Januzi.

Bletarët përfitues të këtij subvencioni falënderuan Komunën për përkrahjen e vazhdueshme që po e bën për sektorin e bletarisë.

Në komunën e Podujevës aktualisht janë rreth 120 bletarë me 3,000 shoqëri bletësh.  /Telegrafi/