Po finalizohet shtrati i lumit Krena – investim prej afro 1.5 milion euro në Gjakovë

Komuna e Gjakovës ka nisur fazën finale të projektit për rregullimin e shtratit të lumit Krena, një ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore që po transformon pamjen urbane të qytetit.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Shkumbin Kastrati, dhe bashkëpunëtorë të tjerë, vizituan sot punimet që kanë filluar në segmentin e parë të fazës përmbyllëse, në zonën tek Ura e Taliqit, përcjell Telegrafi.
Vlera e investimit kap shumën prej 1,498,441.31 euro, ndërsa afati i realizimit është 12 muaj. Projekti përfshin rregullimin e shtratit të lumit, sistemin përcjellës të infrastrukturës dhe krijimin e hapësirave të reja rekreative që do ta shndërrojnë këtë pjesë të qytetit në një zonë moderne dhe atraktive për qytetarët.
Nga Komuna e Gjakovës është bërë e ditur se ky projekt është pjesë e planit të përgjithshëm të transformimit urban që synon të sjellë më shumë gjelbërim, zhvillim dhe cilësi jetese për banorët e qytetit. /Telegrafi/



















































