LAJMI I FUNDIT:

Platforma më e lartë qiellore në hemisferën perëndimore

Platforma më e lartë qiellore në hemisferën perëndimore

Atraksioni më i ri botëror ofron pamje të Nju-Jorkut nga platforma e lartë prej 345 metrash me dysheme qelqi. A do të guxonit të shëtisni në këtë platformë impozante?

Më e larta në hemisferën perëndimore, platforma trekëndëshe “Edge”, del nga rrokaqielli super i lartë njëqind katesh, projektuar nga firma arkitektonike Kohn Pedersen Fox (KPF) si pjesë e projektit të madh të zhvillimit të Hudson Yards në Manhattan.


Falë dizajnit unik, platforma du ket sikur qëndron pezull në ajër pa mbështetëse të dukshme dhe ju krijon përshtypjen që po pluskoni në ajër derisa kënaqeni me shikimin panoramik i cili rrallë shihet.

Forma trekëndore e platformës ndjek formën e pjesës së qelqtë të dyshemesë dhe pasqyron formën e hapjes në vetë majën e rrokaqiellit, disa kate mbi platformë, transmeton Telegrafi.

“Edge” është e kthyer në anën jugore dhe lindore të rrokaqiellit dhe përbëhet nga 15 segmente të cilat formojnë platformën dhe bazën këndore.

Pesha e përgjithshme e platformës është 346.998 kilogramë.

Në vend të rrethojës standarde, përreth platformës janë vendosur 79 panele të larta të qelqta pa korniza, në mënyrë që të mos prishë pamjen në lumin Hadson, Parkun Qendror dhe rrokaqiellin e famshëm Empire State Building.

Barriera e qelqtë është e lakuar butësisht nga jashtë gjë që u mundëson vizitorëve që në të edhe më mirë të vështrojnë ambientin.

Vizitorët mund të kënaqen në pamjen edhe nga brendësia e ndërtesës. Në të njëjtin nivel gjendet bari, ndërsa në katin e 101-të gjendet restoranti “Peak” deri te i cili shkohet me ashensor apo me shkallë të jashtme nga platforma.

Të dy katet janë veshur me panele të mëdha të qelqta, ndërsa enterierin e objektit hotelier e ka rregulluar firma njujorkeze “Rockwell Group”.

Shikoni videon e shkurtër e cila do t’ju çojë 345 metra në qiell mbi Nju-Jork.

/Telegrafi/