Platforma shtetërore e shërbimeve digjitale, e-Kosova, pritet të hyjë në një fazë të re zhvillimi, me lansimin e versionit të avancuar e-Kosova 2.0, që do të sjellë më shumë shërbime dhe teknologji të reja për qytetarët.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka bërë të ditur se institucionet janë në prag të nënshkrimit të kontratës për këtë projekt, që pritet të fillojë gjatë muajit prill.


“Jemi në fazën që në muajin prill fillon me u nënshkru kontrata për e-Kosova 2.0, e cila përveç rritjes së numrit të shërbimeve, do të ofrojë edhe funksionalitete të reja”, tha Jagxhiu në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com.



Ai theksoi se një nga risitë kryesore të këtij versioni do të jetë integrimi i inteligjencës artificiale në shërbimet publike, duke e bërë platformën më efikase dhe më të avancuar.

- YouTube www.youtube.com

“Inteligjenca artificiale nuk duhet të shihet më si diçka e së ardhmes – ajo është këtu sot. Prandaj edhe në e-Kosova 2.0 do të kemi funksionalitete që bazohen në inteligjencë artificiale”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, përveç shtimit të shërbimeve, platforma e re do të sjellë përmirësime të dukshme edhe në performancë, dizajn dhe siguri të sistemit, duke synuar një përvojë më të lehtë dhe më të sigurt për përdoruesit.


Ky zhvillim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt transformimit digjital të administratës publike në Kosovë, ku teknologjia pritet të reduktojë burokracinë dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/