Përfaqësues të Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), kryesuar nga analistja ligjore e këtij misioni, Eirini Skouzou, vizituan sot Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u pritën në takim nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u diskutua për rrjedhën e procesit zgjedhor për zgjedhjet lokale në vendin tonë, që do të mbahen më 12 tetor 2025 e me theks të veçantë u diskutua për planin operativ të Prokurorit të Shtetit në ditën e zgjedhjeve.


"Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Pula informoi të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025".

Po ashtu gjatë këtij takimit siç thuhet në njoftim u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor, në mes të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe shqyrtimin e rasteve zgjedhore.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), informuan për angazhimin dhe për rolin e tyre në procesin zgjedhor. /Telegrafi/