Pjesëtarët e KFOR-it bullgar kryejnë stërvitje pesëditore në Dragash për forcimin e mbikëqyrjes dhe sigurisë

Ushtarët bullgarë të Batalionit Kinetik të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), që veprojnë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë përfunduar një stërvitje intensive pesëditore në zonën e Dragashit.
Sipas njoftimit të KFOR-it, qëllimi kryesor i këtij trajnimi ka qenë përmirësimi i aftësive të mbikëqyrjes përmes patrullimeve të kombinuara me mjete dhe në këmbë, duke siguruar monitorim më efektiv të territorit dhe reagim më të shpejtë ndaj çdo situate të mundshme.
KFOR thekson se stërvitje të tilla janë thelbësore për ruajtjen e një pranie të dukshme, të qëndrueshme dhe të paanshme në terren, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit mbi situatën e sigurisë në zonën e përgjegjësisë së RC-W.
KFOR rikujton se vazhdon të zbatojë mandatin e tij me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. KFOR potencon se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në kuadër të roleve të tyre si mekanizma kyç të sigurisë në vend.


































