Pika që LDK kërkoi të shtohet në rezolutë për vrasjet e pasluftës, e që u refuzua

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se mbështesin rezolutën për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, por kanë edhe një propozim shtesë.
Ajo në seancën e sotme kërkoi që të përfshihet edhe një pikë në rezolutë për zbardhjen e vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas luftës.
“Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pasluftës në Kosovë, me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës”, tha ajo.
Ky propozim nuk është mbështetur nga PDK. Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se është e pamundur të bëhet ndonjë ndryshim.
“Ky është një tekst i sjellë nga një grup profesorësh dhe nuk është një tekst i hartuar nga partitë, por ka pasur dakordim. Rezoluta kërkon që atë për çka ka votuar Kuvendi të ndodhë dhe është e pamundur të bëhet ndonjë ndryshim”, tha ai.
Pavarësisht këtij debati, kryetarja e Kuvendit e hodhi në votim rezolutën, e cila mori mbështetjen e Kuvendit.






















































