Kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, por Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, duke e lënë vendin në një ngërç institucional.

Arsyeja kryesore është mungesa e dakordimit për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, pasi partitë opozitare po refuzojnë të votojnë kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiun.


Në lidhje me këtë situatë, Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus (D+) ka ofruar një alternativë për zhbllokimin e procesit. Përmes një postimi në Facebook, ai ka sugjeruar që kandidatura e Glauk Konjufcës do të ishte zgjidhja më e pranueshme për të gjitha palët.

“Meqë Glauk Konjufca është i pranueshëm nga partitë opozitare për kryetar të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje mund ta propozojë atë për këtë pozitë, ndërsa Albulena Haxhiun si nënkryetare, për të cilët grupet parlamentare kanë diskrecion të plotë se kë propozojnë”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit, Konjufca mund ta autorizojë Haxhiun që të ushtrojë detyrat e kryetares dhe më pas të japë dorëheqje. Ai thekson se, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, një nënkryetar mund të ushtrojë detyrat e kryetarit pa kufizim kohor dhe pa ndonjë autorizim të posaçëm.

“Kjo do t’i mundësonte opozitës të mos e votojë drejtpërdrejt Haxhiun për kryetare, ndërsa Vetëvendosjes t’i ruajë funksionalisht drejtimin e Kuvendit përmes saj”, shton Krasniqi. /Telegrafi/