Përurohet pllaka përkujtimore në nderim të viktimave të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë

Në Mitrovicë është vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të viktimave të natës së tmerrit, që ndodhi 26 vjet më parë, në mes të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar se vendosja e kësaj pllake ka për qëllim që të mos harrohet sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve edhe pas çlirimit të Kosovës dhe në kohën kur në vend ishte i pranishëm KFOR-i.
Në prani të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të ekzekutivit komunal, Peci tha se kanë vendosur ta shënojnë këtë datë të rëndë historike, gjatë së cilës u vranë 10 qytetarë shqiptarë, u plagosën 25 të tjerë dhe rreth 12 mijë shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës u dëbuan dhunshëm nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pasuesit e tij.
“Ne sot, në pjesën e urës së re për këmbësorë, e cila kontribuon në paqe, stabilitet dhe lëvizje më të lirë në Mitrovicë, duam të përcjellim një mesazh të qartë: se normaliteti dhe liria në veri të Kosovës, fatkeqësisht, janë paguar me jetën e qytetarëve civilë të pafajshëm, përfshirë pleq dhe fëmijë”, ka deklaruar Peci. /Telegrafi/
















































