I njohur si ‘mbret i pop-it’, Michael Jackson, ishte një nga figurat më të ndritura dhe më me ndikim në historinë e muzikës.
Mbështetur nga talenti i tij i pashoq, karizma e jashtëzakonshme dhe një ndjeshmëri njerëzore që e dallonte, ai la gjurmë të pashlyeshme në industrinë e muzikës dhe kulturën pop.
Ky gjeni muzikor lindi më 29 gusht 1958, në Gary, Indiana. Qysh në moshë të vogël, ai doli në skenë si lider i grupit “The Jackson 5”, duke impresionuar botën me zërin e tij të veçantë dhe energjinë e tij të pashtershme. Albumi i tij debutues solo, “Off The Wall (1979), prodhuar nga Quincy Jones, ishte një sukses i madh që shënoi fillimin e një karriere të jashtëzakonshme për të.
Nga muret e ngushta në skenën botërore
Katherine dhe Joe Jackson ishin prindërit e Michael dhe ai ishte fëmija i tetë nga 10 fëmijët gjithsej që kishin. Ai u rrit në një familje mesatare me dy dhoma gjumi, ku duhej të ndante shumicën e gjërave të tij me vëllezërit e motrat e tij për t’ia dalë mbanë.
Për shkak të ndikimit të të dy prindërve, fëmijët Jackson u rritën të gjithë për të punuar në industrinë e argëtimit. Në një moment, Michael u bë më i njohuri midis vëllezërve dhe motrave, gjë që e bëri atë të debutonte si artist solo. Gjatë fëmijërisë së tij, Michael Jackson deklaroi se ata e kalonin çdo ditë me muzikë.
Muzika mes dhimbjes dhe hija e babait të tij
Babai i Michael Jackson, Joe Jackson ka qenë abuziv me ta kur ishte fëmijë. Ndërsa rritej, ai e detyronte Michael së bashku me vëllezërit e motrat e tij të praktikonin muzikë. Madje, shpesh i godiste dhe ushtronte dhunë ndaj tyre nëse luanin notën e gabuar ose bënin një gabim, me ‘qëllim’ që t’i mbante ata larg rrugëve dhe larg bandave. Babai i tij e prezantoi këtë qëndrim ndaj gjithë familjes. Si rezultat, rritja në këtë mënyrë e detyroi Michael të ishte më i miri në atë që bënte duke i shkaktuar shumë presion mendor.
Bazuar në përvojën e tij, ai zhvilloi një frikë të fortë ndaj babait të tij për shkak të abuzimit të tij. Në një intervistë me Shmuley Boteach, rrëfeu se kishte frikë nga babai i tij edhe në jetën e tij si i rritur gjersa shpesh i binte të fikët duke parë praninë e tij.
Një fëmijëri e rrëmbyer
Sipas këngëtarit të ndjerë, pavarësisht se donte të kishte marrëdhënie të mira me të atin, ai nuk mundi ta kalonte traumën që i kishte shkaktuar. Pavarësisht se Joe Jackson më vonë kërkoi falje për veprimet e tij, Michael Jackson nuk mund ta falte atë. Në vend të kësaj, vazhdoi të qëndronte larg tij.
Pikërisht për shkak të natyrës së rreptë të të atit, ai e konsideronte fëmijërinë e tij më shumë për punën sesa gjërat me të cilat një fëmijë duhet të jetë i zënë.
Ferma milionëshe e Michael Jackson: Një park tematik dhe strehë kafshësh ekzotike
Jackson jetonte në një park tematik. Ai e ktheu fermën e tij në një gjysmë shtëpi, gjysmë park argëtimi. Ferma quhej Neverland, sipas vendit imagjinar ku jeton Peter Pan. Prona ishte 3000 hektarë (12,14 kilometra katrorë).
Gjersa mendohet se ai mund të kishte paguar diku nga 17 deri në 30 milionë dollarë, sot ferma e tij vlen 100 milionë dollarë. Disa njerëz mund të mendojnë se ajo ishte një shtëpi ëndrrash, e të tjerët mund të mendojnë se ishte pak e çuditshme.
Në fermën e tij, Jackson kishte një kopsht zoologjik me shumë kafshë, duke përfshirë dy lama shumë të veçanta që quheshin Lola dhe Louis.
Michael Jackson kishte një dashuri të madhe për kafshët. Ai ishte i njohur për mbledhjen e kafshëve duke përfshirë minjtë, qentë, strucat, gjirafat, shimpanzetë, lamat, gjarpërinjtë, bretkosat, lepujt dhe më shumë.
Njësoj ishte i famshëm edhe për dashurinë e tij për merimangat. Kjo shpesh bëhej kryefjalë në media, pasi disa nga këto krijesa ishin raca të rralla. Për shkak të koleksionit të tij të madh dhe gjithnjë në rritje të kafshëve shtëpiake dhe shokëve ekzotikë, Michael Jackson më në fund hapi një kopsht zoologjik privat. Ky kopsht zoologjik strehonte edhe kafshë të egra më të mëdha si luanët dhe elefantët.
Në vitin 1991, Michael Jackson iu dhurua një elefant aziatik nga aktorja Elizabeth Taylor. Ajo i dhuroi elefantin atij pasi ai e lejoi atë të organizonte dasmën e saj në fermën e tij. Jackson e quajti elefantin Cigan dhe peshonte rreth 2268 kg.
Rruga për jetëgjatësi: Plani ambicioz i Michael Jackson për të jetuar më gjatë
Aspirata e Jackson për jetëgjatësi nuk ishte thjesht një mendim kalimtar, ishte planifikuar dhe zbatuar me përpikëri. Ai kishte dashur të jetonte për të paktën 150 vjet. Për ta arritur këtë, ai e rrethoi veten me një ekip prej dymbëdhjetë mjekësh që e ekzaminonin me përpikëri nga koka te këmbët çdo ditë. Nga ushqimi që konsumonte e deri te ajri që merrte, çdo aspekt i jetës së tij u shqyrtua me kujdes. Dieta e tij iu nënshtrua testeve të rrepta laboratorike përpara se të arrinte në pjatën e tij, duke siguruar që vetëm ushqimi më i pastër dhe më i sigurt të hynte në trupin e tij.
Por kërkimi i Jackson për jetëgjatësi nuk u ndal me kujdesin e tij mjekësor. Ai caktoi pesëmbëdhjetë individë për të mbikëqyrur ushtrimet e tij të përditshme dhe rutinat e stërvitjes, duke njohur rëndësinë e aftësisë fizike në zgjatjen e jetës. Edhe aranzhimet e tij të gjumit ishin përshtatur për të optimizuar shëndetin e tij, me shtratin e tij të pajisur me teknologji të avancuar për të rregulluar nivelet e oksigjenit.
Megjithatë, pavarësisht nga këto përpjekje të përpikta, më 25 qershor 2009, ndodhi tragjedia. Në moshën pesëdhjetë vjeçare, zemra e Jackson pushoi së rrahuri, duke i dhënë fund të papritur ëndrrave të tij për jetëgjatësi. Pavarësisht përpjekjeve të kombinuara të profesionistëve mjekësorë nga Los Anxhelosi dhe Kalifornia, jeta e tij nuk mund të shpëtohej.
Një jetë në hijen e akuzave: Ikona që lë fansat dhe mediat në mister
Ai rrallëherë shqetësohej të korrigjonte mediat në lidhje me akuzat dhe teoritë e bëra kundër tij. Si rezultat, kjo i la shumë nga fansat e tij dhe gjithashtu publikun të spekulojnë dhe të krijojnë teoritë e tyre në lidhje me personalitetin misterioz të Michael Jackson.
Ndërsa disa nga këto teori kanë prova që mund t’i konsideronin të vërteta, askush nuk është plotësisht i sigurt për llojin e jetës që bënte Michael. Ai nuk konfirmoi kurrë ndonjë thashethem përjashtim pretendimet e rreme për pamjen e tij. Për shkak se Michael Jackson nuk i pengoi mediat të bëjnë si të duan, atij iu desh të përballej me disa veprime ligjore gjatë pjesës së fundit të karrierës së tij si artist.
Një yll, dy gra, tre fëmijë
Michael Jackson kishte tre fëmijë, por identiteti i nënës së njërit prej tyre ka mbetur një mister për publikun. Ai kishte dy martesa. E para me vajzën e Elvis Presley, Lisa Marie Presley, të cilët u divorcuan në vitin 1996.
Ai kishte gjithashtu dy fëmijë me gruan e tij, Debbie Rowe, e cila ishte asistente infermiere.
Michael Jackson dhe reklama që bashkoi dy botë: Pepsi dhe BRSS
Në vitin 1988, Jackson u shfaq në reklamën e parë perëndimore në Bashkimin Sovjetik. BRSS ishte e mbyllur nga pjesa tjetër e botës, por Michael Jackson arriti të kalonte perden e hekurt. Pasi punoi me Pepsi Cola për shumë vite, Jackson u shfaq në reklamat e tyre dhe në fund, së bashku, ata filmuan një për Bashkimin Sovjetik. Pepsi ishte shitur në të gjithë BRSS që nga vitet 1960 dhe ishte një nga markat e pakta perëndimore që lejoheshin në Bashkimin Sovjetik.
Nga tragjedia te bujaria: Flakët në setin e Pepsit dhe akti humanitar i Michael Jackson
Në setin për xhirimet e një reklame për Pepsi më 27 janar 1984, flokët e këngëtarit morën flakë. Aksidenti u shkaktua nga mjetet piroteknike dhe Michael Jackson mbeti me djegie të shkallës së dytë në lëkurën e kokës. Si rezultat, për të mbuluar plagët, Jackson iu nënshtrua një operacioni rinoplastik. Pepsi e zgjidhi çështjen jashtë gjykatës duke i kompensuar dëmet në një pagesë prej 1.5 milionë dollarësh. Ai më pas i dhuroi këto 1.5 milionë dollarë për qendrën mjekësore në Kaliforni që trajtoi djegiet e tij. Si falënderim, Qendra Mjekësore Brotman në Kaliforni e quajti departamentin e tyre të djegieve “Michael Jackson Burn Center”.
Pas incidentit me Pepsi, Michael Jackson u detyrua të mbante një paruke. Kur Michael vdiq, u zbulua se ai mbante një paruke për të fshehur rënien e flokëve. Kjo rënie e veçantë e flokëve u shkaktua nga incidenti tragjik. Sipas menaxhmentit të tij, ai kishte mbajtur paruke për vite me radhë për të mbuluar vendin tullac.
“Moonwalk” dhe frika nga lartësitë: Kontrasti i Michael Jackson
Një nga atributet më unike të Michael Jackson ishte aftësia e tij e jashtëzakonshme për të kërcyer. Lëvizja legjendare “Moonwalk”, e prezantuar për herë të parë në një shfaqje televizive live në vitin 1983, bëri bujë dhe mbetet si një nga momentet më ikonike në historinë e performancave live.
Pavarësisht pranisë së tij elektrizuese në skenë, Jackson thuhet se vuante nga akrofobia, frika nga lartësitë.
Karakteri krijues i Michael Jackson nuk pushoi asnjëherë. Albumet “Bad” (1987), “Dangerous” (1991), “HIStory” (1995), dhe “Invincible” (2001), treguan një artist që gjithmonë kërkonte të sfidonte veten dhe të eksploronte horizonte të reja muzikore. Këngët si “Man in the Mirror”, “Black or White”, dhe “Earth Song” janë prova të angazhimit të tij për temat sociale dhe humanitare.
Jackson ishte thellësisht i përfshirë në përpjekjet humanitare, duke dhuruar miliona dollarë për bamirësi të ndryshme, duke përfshirë ato që mbështesin kauzat e fëmijëve dhe kërkimin mbi SIDA-n.
Zëri i Michael Jackson: Nga ankesa te përsosmëria vokale
Ai kurrë nuk e ka dashur veçanërisht zërin e tij gjatë regjistrimeve të hershme me “The Jackson 5”. Pavarësisht nga vlerësimi, ai shpesh ankohej për lartësinë e zërit të tij në intervistat e mëvonshme, duke e përshkruar atë si të ngjashëm me atë të personazhit të animuar Minnie Mouse.
Dashuria e tij për librat filloi që në adoleshencë të vogël. Të preferuarat e tij të hershme ishin “Rip Van Winkle” nga Washington Irving dhe “The Old Man and the Sea” nga Ernest Hemingway. Thuhet për të se krijoi një bibliotekë me më shumë se 10,000 libra.
E vërteta pas lëkurës së Michael Jackson
Një nga ndryshimet më të diskutueshme dhe më të dukshme ishte toni i lëkurës së tij. Kjo sepse ngjyra e lëkurës së Michael Jackson ndryshoi për shkak të sëmundjes së lëkurës që kishte të quajtur Vitiligo. Ai gjithashtu vuante nga shumë çrregullime të shëndetit mendor, si çrregullimi i dismorfisë së trupit, i cili mendohet të jetë një kontribues i madh në ndryshimin e tij në pamje.
Për obsesionin e Michael me pamjen e tij ishte fajtor Joe Jackson. Që në moshë të vogël, babai i tij shpesh tallej me pamjen e tij. Kështu, ai mori shumë abuzime mendore dhe fizike prej tij gjatë rritjes. Sipas artistit të ndjerë, babai i tij në mënyrë specifike tallej me formën dhe madhësinë e hundës së tij. Kjo e traumatizoi Michael Jackson deri në moshën madhore.
Nga yll në mbret
Në vitin 1992 Jackson vizitoi bregun perëndimor të Afrikës në turneun e tij dhe ai u prit ngrohtësisht nga vendasit. Atë e deshën aq shumë sa në një fshat të vogël në Bregun e Fildishtë vendosën ta bënin mbret. Atij iu dha emri Michael Jackson Amalaman Anoh nga shefi i fisit. Në fshatin Krindjabo u mbajt një ceremoni e plotë, me kërcime dhe daulle tradicionale. Michael u vesh me një fustan tradicional për kurorëzimin e tij dhe dokumentet u nënshkruan për ta zyrtarizuar mbretërimin e tij.
Ai mbeti mbreti i Bregut të Fildishtë deri në vdekjen e tij. Pas vdekjes së tij, shefi i fisit kërkoi trupin e tij për një varrim zyrtar për mbretin, por kërkesa e tij u refuzua dhe ai u varros në Kaliforninë Jugore.
Një yll që ndriçon përtej polemikave
Për fat të keq, jeta e Michael Jackson nuk ishte e paprekshme nga polemikat dhe sfidat personale. Megjithatë, përtej turbulencave dhe vështirësive, Michael vazhdoi të jetë një figurë e dashur për miliona fansa anë e mbanë globit. Edhe pse ai vdiq më 25 qershor 2009, trashëgimia e tij muzikore dhe ndikimi global mbeten të pavdekshme.
Ai vazhdon të jetojë përmes muzikës, performancave dhe ndikimit të tij të pashlyeshëm në kulturën pop. Përtej jetës së tij të ndërlikuar, ai mbetet një ikonë e përjetësisë muzikore./Arjanita Havolli/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Arioni vendoset në siklet nga pyetja e publikut rreth familjes së Dianës
“Është budalla, e rrah gruaja”, Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s’kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike “Provocativo”
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres
Ronaldo pret në intervistë YouTuber-in e famshëm MrBeast, e pyet se a frikohet që futbollisti do t'ia kalojë me shikueshmëri
Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike "Provocativo"
Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore
Arioni vendoset në siklet nga pyetja e publikut rreth familjes së Dianës
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje