Përtej autopsisë, çfarë nuk dihet për mjekësinë ligjore - në podcastin "Shëndeti në rend të parë" me Naim Ukën

Në episodin e 46-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital i ftuar këtë javë është Naim Uka, profesor i Mjekësisë Ligjore, i cili ka ndarë histori, sfida dhe përgjegjësitë e një mjeku ligjor – njeriu që me sy shkencor dhe zemër të vendosur, ndihmon drejtësinë të nxjerrë dritë nga errësira.
Në këtë bisedë zbuluam se çfarë qëndron pas titullit “mjek ligjor”, si duket puna në një autopsi, dhe cilat janë emocionet dhe dilemat që e shoqërojnë çdo ditë këtë profesion të rrallë dhe shumë të rëndësishëm për shoqërinë.
- YouTube www.youtube.com
“Mjeku ligjor është ai profesionist që me sy shkencor dhe zemër të vendosur ndihmon drejtësinë të zbardhë të vërtetën”, u shpreh profesor Uka.
Sipas tij, mjekësia ligjore nuk merret vetëm me kufomat, por edhe me personat e gjallë.
“Viktima të dhunës fizike apo seksuale, raste të dhunës në familje, apo çfarëdo forme tjetër të dëmtimit trupor që kërkon vlerësim mjeko-ligjor”.
Një arsye pse publiku shpesh nuk është në dijeni për këto raste, siç tha Uka është sepse ato janë pjesë e hetimeve që zakonisht mbahen të fshehta deri në përfundimin e tyre.

“Ne nuk kemi të drejtë të ndajmë asnjë informacion, qoftë edhe me kolegë, për një rast që është në hetim. Sepse çdo informacion i dalë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën personale të individit”, shtoi ai.
Profesor Uka theksoi edhe një tjetër aspekt jetik: çdo vdekje është e dyshimtë derisa të përjashtohet çdo mundësi tjetër.
“Edhe një vdekje në gjumë nuk mund të merret e mirëqenë si natyrale. Ne kemi pasur raste që fillimisht janë klasifikuar si vdekje natyrale, por përmes autopsisë janë zbuluar si vrasje. Për këtë arsye, është vetëm mjeku ligjor ai që, me kompetencë profesionale dhe ligjore, mund të japë një opinion shkencor mbi shkakun e vdekjes. Vendimi për të kryer autopsi merret nga Prokuroria e Shtetit, e cila mbikëqyr punën e mjekëve ligjorë në rastet penale", ka thënë Uka. /Telegrafi/



















































