Mbyllet me molotov protesta e PD në Shqipëri

(E plotësuar) - Protesta e Partisë Demokratike u mbyll me lëndë plasëse dhe molotov të hedhur drejt Kryeministrisë, për fat të mirë pa pasoja të rënda.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas një parakalimi në bulevard, u ndal në selinë e PD-së, ku shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes për protestë.
Berisha e cilësoi tubimin si një “protestë historike”, duke theksuar se aksioni i nisur nga opozita nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilin e quajti “armik” të vendit dhe të pluralizmit politik.
“Kjo ishte një protestë historike. Duhet ta kuptojë secili prej nesh misionin tonë. Nëse para 11 majit u ngritëm për të shpëtuar Partinë Demokratike dhe pluralizmin politik, sot jemi në këmbë për të shpëtuar Shqipërinë dhe familjen shqiptare. Ky është misioni më i lartë dhe më sublim i jetës sonë”, deklaroi Berisha.
Përshkallëzohet situata në Shqipëri, hidhet molotov në derën e kryeministrisë
Është përshkallëzuar situata në protestën e opozitës në bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet.
Protestuesit kanë hedhur molotov në derën e kryeministrisë gjatë fjalës së liderit demokrat Sali Berisha.
Pas kësaj janë shtuar forcat policore në protestë.
Forcat Shqiponja dhe FNSH i bashkohen forcave të rendit.

Protestuesit kanë tërhequr gardhin që policët kishin vendosur para turmës së protestuesve, para kryeministrisë
Shoqërohet nga policia një protestues që hodhi molotov drejt kryeministrisë.
Protesta ka nisur në orën 18:00 dhe sipas pjesëmarrësve nuk dihet se sa do të zgjasë.


















































