Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk kanë miratuar rekomandimin e sekretariatit të KQZ-së për hapjen e 177 kutive të votimit nga diaspora.

Për këtë vendim ka pasur përplasje të forta mes Alban Krasniqit dhe Arianit Elshani të PDK-së.


Krasniqi ka kërkuar që të veprohet sipas rekomandimeve të sekretariatit të KQZ-së për t’u proceduar me hapjen e 177 kutive nga diaspora.

“Duhet t’ua ofrojmë këto fletëvotime edhe kolegëve në KQZ që t’i shohin shkeljet që janë bërë duke i bërë të pavlefshme ato vota. Ju po e shihni shkeljen që është bërë dhe po e fshihni, ky është krim. Regjistrimet duhet t’i vihen në dispozicion PZAP-së. Me ligj e kemi të detyruar të skanojmë fletëvotimet”, ka deklaruar Krasniqi.

Anëtari i PDK-së në KQZ Arianit Elshani i është kundërpërgjigjur Krasniqit të LVV-së duke thënë se edhe PDK është e prekur nga shpallja e pavlefshme e votave të saj por se sipas tij procesi nuk duhet të rihapet pasi është rregullore që në fletëvotim duhet të figurojnë të gjitha subjektet politike.

Kujtojmë LVV po ankohet se një numër i madh i votave të saj janë shpallur të pavlefshme pasi që qytetarët nga diaspora gjatë printimit të fletëvotimit nuk kanë përfshirë të gjitha subjektet politike.

LVV pretendon se në fletëvotim vërehet qartë qëllimi i votuesit se për cilën parti ka dashur të votojë, pavarësisht se në flet nuk janë të gjitha subjektet politike.

Në vendimin e 3 marsit, PZAP-ja tha se ka miratuar ankesën e LVV-së për disa vota të shpallura të pavlefshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

PZAP-ja tha se këto vota ishin shpallur të pavlefshme për shkak të një gabimi teknik në shtypjen apo printimin e fletëvotimeve.

“Në fletëvotimet përkatëse, gjatë këtij procesi të printimit vërehet se fletëvotimet nuk janë printuar si të plota, ndonëse vërehet qartë qëllimi i votuesit”, u tha në vendimin e PZAP-it. /Telegrafi/