Përpjekje e re për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit - kë do ta propozoj Vetëvendosje?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në vazhdimin e seancës konstituive, duke nisur nga ora 11:00.
Kjo është përpjekja e tretë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës kandidati për kryetar të Kuvendit mund të propozohet vetëm tri herë, ndërsa votimi duhet të jetë i hapur.
Lëvizja Vetëvendosje deri tani ka propozuar tre kandidatë për këtë post: Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën dhe Hekuran Muratin, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme. Më së shumti, kandidaturat kanë marrë deri në 57 vota.
Pas dështimeve, Vetëvendosje ka akuzuar partitë PDK, LDK dhe AAK për bllokim të procesit, duke thënë se problemet nuk qëndrojnë te emrat e propozuar, por te qëllimi i opozitës për të penguar formimin e institucioneve të reja.
Nga ana tjetër, PDK ka deklaruar se do të votojë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes që nuk ka qenë pjesë e qeverisë në mandatin e kaluar.
LDK ka theksuar se Vetëvendosje e ka ditur paraprakisht që kandidaturat e propozuara nuk kanë mbështetjen e nevojshme. Ndërkohë, AAK pret që edhe në seancën e sotme të propozohen emra që nuk do të marrin mbështetje të mjaftueshme.
Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se do të abstenojë nga votimi për kryetarin e Kuvendit, përderisa nuk arrihet një marrëveshje e gjerë politike.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt. Deri më tani janë zhvilluar 56 seanca për konstituimin e Kuvendit të ri, ndërsa ajo e sotmja është e 57-ta me radhë.
Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë ku përcaktohet që legjislativi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, afat ky që përfundon më 18 shtator. /Telegrafi/




















































