Përmbysja e skenarit të Putinit, nga inkursioni i Ukrainës në Rusi

Nga: Anton Troianovski (Berlin) dhe Alina Lobzina (Londër), me kontributin e gazetarëve Anatoly Kurmanaev, Milana Mazaeva dhe Oleg Matsnev / The New York Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Familjet të cilat ikën nga trupat pushtuese ukrainase, kërkuan mbrojtje te të huajt. Prindërit rusë kishin frikë se fëmijët e tyre mund të dërgohen për herë të parë në fushëbetejë.
E, në takimin e së hënës të transmetuar nga televizionet, presidenti Vladimir V. Putin i Rusisë shfletoi bllokun e bardhë duke lexuar me zë të lartë shënimet e shkruara me dorë, duke treguar se ndihmësit e tij nuk kishin kohë për të shtypur – siç bëjnë zakonisht – fjalimin e tij.
Inkursioni i befasishëm i javës së kaluar i Ukrainës, në një pjesë të rajonit të Kurskut të Rusisë, nuk e ka ndryshuar rrjedhën e përgjithshme të luftës, por e ka dhënë goditjen që shkon përtej disa qindra kilometrave katrorë të Rusisë të cilat Ukraina tani i kontrollon: E goditi qeverinë ruse dhe shoqërinë e cila me të madhe ishte përshtatur me luftën që po futej në fazën e re të improvizimit dhe të pasigurisë.
Që nga takimi me zyrtarë rajonalë dhe të sigurisë – një takim ky i tensionuar në të cilin presidenti në një moment e qortoi guvernatorin e Kurskut, për zbulimin e thellësisë dhe të gjerësisë së përparimit të Ukrainës në Rusi – z. Putin nuk ka thënë asgjë për inkursionin. Pranë kufirit – nga ku autoritetet thonë se më shumë se 130 mijë njerëz kanë ikur ose janë evakuuar – zyrtarët rajonalë dolën të jenë të papërgatitur për këtë krizë, duke kërkuar ndihmën e njerëzve të rëndomtë.
Politikanëve me qëndrim opozitar, përfshirë disa nga ata të paktët që kanë mbetur brenda Rusisë, inkursioni i Ukrainës ua ka dhënë një shans të rrallë për të përmbysur narrativën e Kremlinit se Rusia vazhdimisht po ecën drejt fitores – edhe nëse nuk është aspak e sigurt se rusët do të fajësojnë z. Putin për të metat e veta. Një figurë e opozitës, Lev Shlosberg – nga qyteti perëndimor i Pskovit – e krahasoi gjendjen e shoqërisë ruse me grumbullimin e magmës nën një vullkan ku është e paqartë se kur dhe se si do të shpërthejë në sipërfaqe.
“Natyrisht, ngjarjet aktuale po e intensifikojnë krizën”, tha z. Shlosberg në një intervistë telefonike. “Por, nuk e dimë se ku dhe si do të rrjedh kjo energji e pakënaqësisë”.
Në qytetin e Kurskut, rreth 50 milje [80.5 kilometra] nga kufiri ku pushtoi Ukraina, politikania Yekaterina S. Duntsova përshkroi takimin me njerëzit në një strehimore, të cilët ishin aq të çorientuar nga ikja saqë “shpresonin se gjithë kjo është veçse një lloj ëndrre”.
Në një intervistë telefonike, znj. Duntsova tha se një grua i tha asaj se që nga “dita e parë e luftës”, ajo kishte qëndruar në një strehimore në një konvikt universitar. U kuptua se ajo i referohej fillimit të inkursionit të Ukrainës në javën e kaluar.
“Pra, çfarë ndodhte më parë?” – i tha znj. Duntsova asaj. “Para asaj kohe”, tha gruaja, “e jetonim jetën tonë.”
Znj. Duntsova është gazetarja e cila me një platformë kundër luftës u përpoq të kandidonte kundër z. Putin, në zgjedhjet presidenciale të Rusisë në këtë vit, por u ndalua të garojë. Tani ajo e drejton një iniciativë vullnetare për të ndihmuar banorët e zhvendosur të Kurskut, ndërsa paralajmëron se turpi i inkursionit të Ukrainës nuk pritet të shpie drejt ndryshimeve politike në Rusi, sepse pak njerëz guxojnë të flasin.
“Heshtja është shpëtim”, tha ajo, menjëherë pasi një sirenë e sulmit ajror u dëgjua në sfond. “Jetojmë sipas Orwellit”.
Për rusët të cilët e kundërshtojnë luftën, ndihma ndaj njerëzve që ikin prej luftimeve është bërë një mënyrë për t’u ndier sikur po ndërmarrin veprime pa e rrezikuar arrestimin. Disa postuan në aplikacionin e mesazheve sociale, në Telegram, duke njoftuar se ofrojnë shtëpitë e veta për të zhvendosurit. Në qytetin e Oriolit, rreth 80 milje [128.7 kilometra] në veri të Kurskut, një rrobaqepëse e quajtur Anastasia, 36 vjeçe, tha se kishte ndihmuar në strehimin e dy familjeve.
“Kur jeton në makth, me të vërtetë është e rëndësishme të shohësh se ka njerëz përreth teje të cilët ndihmojnë”, tha Anastasia, e cila për shkaqe sigurie kërkoi që mbiemri i saj të fshihej. “Kjo të ndihmon të mos çmendesh.”
Megjithatë, kishte shenja të shqetësimeve publike, të cilat buronin nga pasiguria mbi përfshirjen e rekrutëve të rinj në luftime. Që nga fillimi i luftës, z. Putin është zotuar se rekrutët – burrat rusë të moshës 18-vjeçare të cilët duhet të shërbejnë për një vit në ushtri – nuk do të dërgohen në zonën e luftës në Ukrainë. Por, betejat në territorin rus mund të jenë çështje tjetër, ndërsa një media hulumtuese ruse në mërgim, Important Stories, të mërkurën raportoi se kishte identifikuar 22 ushtarë të rekrutuar të cilët ishin zhdukur në Kursk.
Rekrutët e Kurskut, të cilët pas sulmit të Ukrainës ishin tërhequr nga kufiri, tani “dërgohen sërish në mbrojtje të Kurskut”, tha Grigory Sverdlin, kreu i organizatës që ndihmon rusët të cilët duan të shmangin shërbimin ushtarak. Ai tha se grupi i tij, Idite Lesom [Zhdukuni], kishte marrë më shumë se 20 kërkesa për ndihmë nga rekrutët ose të afërmit e tyre.
Përdorimi i rekrutëve është çështje e ndjeshme për z. Putin, meqë familjarët e tyre mund të formojnë një forcë të fuqishme kundër luftës – siç bënë gjatë luftës së Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitet 1980 dhe gjatë luftës së Rusisë në Çeçeni në vitet 1990. Për dallim, në Ukrainë forcat ruse janë përbërë kryesisht nga ushtarët me kontratë me pagesë të mirë – familjet e të cilëve marrin shuma të mëdha nëse burrat vdesin – si dhe nga të burgosurit të cilëve u është premtuar liria nëse mbijetojnë.
Përtej përfshirjes së mundshme të rekrutëve, analistët parashikuan se përpjekja për të dëbuar trupat ukrainase nga Kursku, mund të pengojë përfundimisht ofensivën e Rusisë në Ukrainën lindore. Ruslan Pukhov, drejtor i grupit të kërkimit të çështjeve sigurisë, CAST – me qendër në Moskë – tha se nevoja për të zhvendosur një pjesë të forcës pushtuese të Rusisë në Kursk, mund të kthehet në kërcënim për strategjinë e Rusisë për përparim të ngadalshëm në vijën e frontit në Ukrainë.
“Ditët e para të operacionit ukrainas në rajonin e Kurskut, duhet të vlerësohen si shumë të suksesshme, megjithëse qëllimet përfundimtare mbeten të paqarta”, tha z. Pukhov. “Në aspektin moral, Federata Ruse ka marrë një goditje të fuqishme”.
Rusia mban avantazhin në luftë, për sa i përket personelit dhe burimeve të brendshme, por inkursioni i Ukrainës e theksoi aftësinë e Kievit për të përdorur forcat e shkathëta dhe armatimin perëndimor për të marrë për vete një pjesë të iniciativës së Rusisë. Në takimin e transmetuar të së hënës, z. Putin e fajësoi Perëndimin se “po na luftojnë përmes duarve të ukrainasve”, duke e përsëritur përshkrimin e tij të shpeshtë të luftës – të cilën e filloi me pushtim të plotë – si fushatë të duarve të zgjatura të Perëndimit kundër Rusisë.
Televizioni shtetëror ka vazhduar të minimizojë krizën, duke e trajtuar si fatkeqësi natyrore ose si sulm terrorist. Forcat ruse “po e dëbojnë armikun nga toka jonë”, tha të martën spikerja e emisionit kryesor të lajmeve në Channel One, duke shtuar se “detyra kryesore tani është të ndihmojmë viktimat civile”.
Por, në Telegram, blogerët e njohur pro luftës kanë kritikuar zyrtarët rusë për fshehjen e nivelit të problemit. Njëri vuri në dukje se pavarësisht nga raportet e rregullta të Ministrisë së Mbrojtjes ruse, të cilat pretendonin se qindra ushtarë ukrainas janë “shkatërruar”, “megjithatë, armiku i raportuar si i vrarë po vazhdon të pushtojë territoret tona”.
Mes mesazheve të shumta nga mbështetësit e luftës, në televizion dhe në internet, analistët parashikuan se – përkitazi me tronditjen nga inkursioni – anëtarët e opinionit rus mund të reagojnë ose duke mbështetur pushtetin ose duke kritikuar shtetin për dështimin për t’i mbrojtur ata.
Aleksei Minyailo, aktivist opozitar moskovit i cili studion opinionin publik rus, tha se sulmet e mëparshme të Ukrainës në rajonet kufitare të Rusisë, kishin kontribuar më shumë në forcimin e opinioneve pro luftës. Por, këtë herë, shtoi ai, ndjenja e konfuzionit – në vazhdën e inkursionit të Kurskut – mund të dëmtojë mesazhin e Kremlinit se “gjithçka po shkon mirë; se ne po fitojmë”.
“Kjo tollovi e godet rëndë këtë narrativë propagandistike”, tha z. Minyailo, bashkëthemeluesi i projekti kërkimor Chronicles që ka anketuar rusët në muajt e fundit.
Përveç deklaratës së tij në takimin e së hënën, se prioritet është rivendosja e kontrollit të rajonit të Kurskut, z. Putin ka qenë memec për mënyrën se si planifikon të reagojë. Disa në Rusi thanë se presin që z. Putin do të sulmojë në stilin e papritur të tij, duke e përshkallëzuar më tej dhunën e luftës.
“Është fshirë vija e kuqe e cila dukej se ishte e paprekshme”, tha politikani i opozitës, z. Shlosberg, duke iu referuar sulmit të Ukrainës në territorin rus. “Putini tani e ka një shans, një arsye të mendojë se cilën vijë duhet ta kalojë”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Tifozët e Liverpoolit shpallin fajtorin për eliminimin nga PSG - kërkojnë shitjen e lojtarit

Trump i drejtohet zëvendëspresidentit amerikan: Çka janë këto çorape, po më shpërqendrojnë

Dodik kërcënon me policinë e Republikës Serbe: Do të ketë konflikt nëse përpiqen të më arrestojnë

Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Capital T dhe Adrola Dushi shijojnë pushimet në destinacion të largët, teksa ngacmojnë njëri-tjetrin me komente

Gjykata e kthen në punë Ridvan Berishën, e detyron RTK-në t’ia paguajë mbi 28 mijë euro

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët