Përmbledhje e katër aksioneve të marshit protestues (Video)

Marshi protestues i nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në rrugë e sipër, është përcjellë me aksione të ndryshme.
Në katër lokacione ku janë ndalur, aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë zhvilluar aksionet, të papenguar nga policia, raporton KTV.
Ndalesa e parë ka qenë para Gjykatës Kushtetuese, kryetarit të së cilës, Enver Hasanit, po i kërkohet dorëheqja.
Objekti është lyer me ngjyrë të zezë.
Pavarësisht që brenda rrethojave ndodheshin një numër i madh i policëve, në asnjë moment nuk kanë reaguar. Krejt çfarë ka bërë policia ka qenë ruajtja e uniformave nga ndotja.
Ndalesa e ardhshme për mijëra protestues, të prirë nga krerët e opozitës, ka qenë ndërtesa e KEDS-it.
Në shkallët e këtij objekti, disa njehsorë digjitalë të rrymës janë bërë copë-copë.
E realizimi i aksionit të radhës ka qenë pak më i vështirë.
Një altoparlant gjigant është vendosur në oborrin e ngushtë të transmetuesit publik, me mbishkrimin “RTK-Altoparlant i Qeverisë”.
E në fund të protestës, aktivistë të Vetëvendosjes kanë arritur që të futen brenda rrethojave të qeverisë.
Krejt kjo në mirëkuptim me policinë dhe pa dhunë.
Brenda janë vendosur dy pankarta, njëra që paraqiste Kosovën me Asociacionin e Komunave Serbe, e tjetra pa të.
Edhe para protestës së të shtunës, aksione të ndryshme ishin zhvilluar si para Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe para KEDS-it.

















































