Kosova ka arritur të barazojë rezultatin në 1-1 në minutën e 72-të, falë një super goli të Florent Muslijës, i cili ndezi “Fadil Vokrrin” dhe riktheu shpresën për dardanët.

Pas disa aksioneve të njëpasnjëshme dhe presionit të vazhdueshëm në gjysmëfushën zvicerane, erdhi edhe momenti i artë i barazimit.


Topi qarkulloi me qetësi në mesfushë, derisa përfundoi te Muslija, i cili u fut pranë zonës me vendosmëri. Ai krijoi hapësirën e duhur dhe lëshoi një goditje fantastike, të pakapshme për portierin Kobel, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke e çuar stadiumin në delir.

Një perlë e vërtetë teknike, që e vendosi ndeshjen në ekuilibër dhe shpërbleu lojën e guximshme të Kosovës në pjesën e dytë.

Më herët, në fillim të fraksionit të dytë, Zvicra kishte kaluar në epërsi përmes Ruben Vargas, i cili shfrytëzoi një moment të pakujdesisë në mbrojtjen dardane. Por reagimi i Kosovës ishte i menjëhershëm dhe i fuqishëm.

Tani, me rezultatin 1-1 dhe me mbështetjen e zjarrtë të tifozëve, Kosova do të kërkojë fitoren deri në sekondën e fundit. Atmosfera është elektrizuese dhe dardanët duken më të motivuar se kurrë. /Telegrafi/

telegrafi sport app