Sot shënohet 26-vjetori i masakrës në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, e cila cilësohet si masakra më e madhe në qytet.

Në këtë përvjetor kanë bërë homazhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Arian Tahiri, drejtorë të drejtorive, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri, qytetarë dhe familjarë, shkruan Telegrafi.


Familjari i njërit prej të vrarëve në këtë masakër, Isa Gërguri, ka thënë se sot përkujtojnë këtë masakër nga ku u ekzekutuan 24 persona.

"Sot përkujtojmë masakrën në rrugën e Kovaçëve, ku pikërisht më 15 prill 1999 janë ekzekutuar 24 persona dhe pas kësaj lagjeje kemi dhe 7 persona tjerë të ekzekutuar", ka thënë Gërguri.

Ai ka thënë tutje se në këtë muaj përkujtojmë dëshmorët sepse sipas tij, falë dëshmorëve dhe martirëve sot ne gëzojmë lirinë.

Gërguri po ashtu ka kërkuar nga organet e drejtësisë që kryesit e këtyre vrasjeve të vihen para drejtësisë.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka thënë se gjeneratat e reja duhet të kujtojnë sakrificën dhe luftën e bërë për liri.

"Dhimbja është prezente në çdo fjalë. Gjeneratat e reja duhet të kujtojnë kontributin. Duhet të kujtojmë historinë e lavdishme të popullit tonë dhe luftës për liri", ka thënë shkurtimisht Tahiri.

Në nder të martirëve të rënë, rruga ku ka ndodhur kjo masakër mban emrin "Martirët e kombit".

Të pranishëm për të bërë homazhe ishin dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, përfaqësues tjerë nga kjo komunë dhe deputeti i VV-së, Agim Bahtiri.

Në këtë masakër, forcat serbe kanë vrarë mizorisht 31 civilë shqiptarë, 25 meshkuj, 5 kalimtarë dhe një nënë të moshuar 76-vjeçare.

"Përjetësisht plagë në zemrat e familjarëve dhe përjetësisht në kujtesën tonë deri në amshim. Gjaku i tyre, dritë e lirisë tonë! Lavdi", thuhet në mesazhin e shkruar nga familjarët. /Telegrafi/