LAJMI I FUNDIT:

Përgatitje të mëdha për vitin e ri shkollor

Përgatitje të mëdha për vitin e ri shkollor

Në Kosovë ka nisur të hënën viti i ri shkollor, me shumë përgatitje për tu mbrojtur nga infektimi me coronavirus.

Njëri ndër fëmijët të cilët e nisën këtë udhëtim është edhe Besim Jahiri nga Slivova i cili nisi klasën e tretë, ndërkaq sfida e tij tjetër përveç mësimeve këtë vit do të jetë edhe bartja e maskës dhe mbajtja e distancës fizike me shokët e shoqet e shkollës.

8-vjeçari është shprehur i gëzuar për fillimin e mësimit, pasi siç tha ai ka pushuar shumë gjatë.


“Unë jam gëzuar shumë për shkollë se kemi pushu shumë gjatë. Mezi pres t’i takojë shokët e shoqet në shkollë”, tha Besim Jahiri.

Nëna e Besimit, Saranda ka thënë se nuk është e lehtë që fëmijët të mësojnë në kohë pandemie, por sipas saj është shumë më mirë që ka filluar mësimi nëpër shkolla, pasi fëmijët kanë humbur shumë.

“Unë si prind e kam këshilluar djalin me mbajt maskën, me mbajt distancën, mos me i përqafu shokët e shoqet e klasës, sepse është në të mirën e të gjithë fëmijëve në klasë”, tha ajo.

Mësuesja, Edita Rizani ka thënë se megjithëse është kohë e vështirë, në shkollën “Mic Sokoli” në Slivovë janë marrë të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga coronavirusi. /Telegrafi/