Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se kanë përfunduar me sukses punimet për zëvendësimin e gypit në rrugën Kobaj–Grazhdanik, pas disa defekteve të përsëritura që ishin paraqitur kohëve të fundit në këtë pjesë të rrjetit.

Sipas kompanisë, intervenimi ishte i domosdoshëm për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të rregullt me ujë për banorët e zonës, si dhe për të rritur efikasitetin dhe sigurinë e rrjetit të ujësjellësit, përcjell Telegrafi.




“Kjo ndërhyrje është pjesë e përpjekjeve tona për mirëmbajtje dhe përmirësim të vazhdueshëm të sistemit të ujësjellësit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe durimin gjatë periudhës së punimeve, duke bërë të ditur se ekipet e saj do të vazhdojnë monitorimin në terren për të garantuar cilësi të qëndrueshme në furnizim.