Përfundon renovimi i plotë i shkollës “Abdullah Shabani” në Zborc të Shtimës

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ka njoftuar se është përuruar renovimi i plotë i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Abdullah Shabani” në fshatin Zborc.
Sipas Aliut, renovimi është realizuar me mbështetjen e KFOR-it Turk, ndërsa investimi në infrastrukturën e shkollës ka vlerë mbi 17 mijë euro.
“Ditë e veçantë për nxënësit dhe mësimdhënësit e Zborcit!”, ka shkruar Aliu.
Me këtë projekt, shkolla është lyer tërësisht, janë mobiluar klasat dhe zyrat, ndërsa janë vendosur kondicionerë dhe pajisje teknologjike. Gjithashtu, janë renovuar edhe tualetet e shkollës.
Aliu ka shprehur mirënjohje ndaj Komandantit të Kryesisë së Këshillit Turk në Kosovë, Kolonel Harun Elitaş, për investimin dhe mbështetjen e dhënë.
“Investimi në arsim është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka deklaruar Aliu.
Ai ka falënderuar KFOR-in Turk për mbështetjen e vazhdueshme në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit e Komunës së Shtimes. /Telegrafi/





































