Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Sipas raportit të ekspertizës që e ka siguruar Dukagjini, Murseli është vlerësuar si plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm, pa ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore që do të ndikonte në kapacitetin e tij për të kuptuar apo kontrolluar veprimet e tij në momentin e kryerjes së veprës penale.


“I vetëdijshem, i orientuar në kohë dhe hapësirë, pamja e jashtme i përgjigjet moshës. I qetë në aspektin psikomotor. Bashkëpunues, i përgjigjet thirrjes për bisedë. Kontakti me sy vëhet dhe mbahet. Kontakti verbal vëhet dhe mbahet pa insistim. Rrjedha e të folurit normale pa ndryshime në të folur. Flet qartë dhe i përshkruan të gjitha ngjarjet në detaje. Nuk mungon spontaniteti.

Humorin e përshkruan të ulur me raporti afektiv adekuat. I preokupuar me situatën në të cilën ndodhet. Mekanizma mbrojtës përdor shmangien, projektimin dhe mohimin. Në të menduar aktualisht nuk konstatohen çrregullime për nga forma apo përmbatja. Nuk konstatohen ndryshime në sferën perceptive. Funksionet kognitive të ruajtura. Fondi i njohurive i përgjigjet nivelit të tij të edukimit. Aktualisht mohon idetë suicidale dhe homicidale.Të gjykuarit e ruajtur, koshient për gjendjen në të cilën ndodhet”, thuhet në raport.

Ekspertët kanë theksuar se analiza e sjelljes së Murselit para, gjatë dhe pas ngjarjes, si dhe vlerësimi i përgjithshëm psikiatrik, tregojnë se ai është në gjendje të përballet me procesin gjyqësor, të kuptojë akuzat dhe të mbrohet në mënyrë të vetëdijshme.

“Tek i ekzminuari z.Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm.

Mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të konsultohet me persona të tjerë duke përfshirë mbrojtësin, kupton akuzën dhe është në gjendje të përballet me gjykimin.

Nuk është konstatuar ndonjë prapambetje, ngecje mendore apo abuzim me substanca psikoaktive ose alkool.

Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij. Kjo është

bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës, për të cilën akuzohet.

I njëjti është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”, thuhet më tej në raport.