Ndër dhjetë komunat ku do të kryhej ky proces, në Shalë të Shkodrës nuk u votua pasi materialet zgjedhore, mbërritën në qendrat e votimit të kësaj komune, gjashtë orë nga orari zyrtari i fillimit të votimit (ora 07:00). KZAZ 42 në Shkodër, nuk kishte dorëzuar materialet zgjedhore, pasi komisionerët nuk kishin plotësuar kriteret.

Votimet u mbajtën në Shllak të Shkodrës, Pishaj dhe Papër të Elbasanit, komuna Mollas e Korcës, në Kolsh të Lezhës, në Armen dhe Finiq të Vlorës, Qendër Skrapar në Qarkun Berat dhe komuna Zall Dardhë në Qarkun Dibër, raportoi BW.


Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, tha se procesi vijoi pothuajse normalisht, ndërsa veçoi rastin e komunës Shalë si më të rëndin, pasi atje nuk u zhvilluan fare zgjedhjet. Zoti Olli tha më tej se atje do të ketë rivotim. Ai përmendi edhe dy incidente në Finiq të Vlorës e Shllak të Shkodrës.

“Ngjarja më e rëndë ndodhi në komunën e Shalës ku nuk u zhvilluan zgjedhjet. Pati dy probleme në Finiq dhe Shllak në fillim të votimit, por gjithsesi nuk ishte ajo që kishim shpresuar për sa i përket sjelljeve të subjekteve politike”, tha zoti Olli./Telegrafi/