Performanca e Rachel Zegler në “Evita” kritikohet pas kaosit dhe shqetësimeve shëndetësore gjatë vapës

Rachel Zegler është përballur me kritika pas performancës së saj në “Evita” në West End, ku dhjetëra fansa u mblodhën jashtë London Palladium për të parë momentin ikonik të këngës “Don’t Cry for Me Argentina”.
Aktorja 24-vjeçare e interpretoi këngën nga ballkoni i teatrit, por kushtet ekstreme të motit sollën probleme serioze.
Rreth 200 persona qëndruan për orë të tëra nën diellin përvëlues dhe disa u ndjenë keq, duke detyruar thirrjen e ambulancave pak para shfaqjes, shkruan DailyMail.
Një burim për The Sun tha se situata “po shndërrohet në një makth të vërtetë”, duke përmendur mungesën e kontrollit të turmës dhe rreziqet nga nxehtësia.
Ndërsa disa e vlerësuan performancën si një mënyrë për ta bërë teatrin më të arritshëm, të tjerë u ndjenë të zhgënjyer që momenti më i famshëm i shfaqjes ndodhi jashtë skene.
Reagimet në rrjetet sociale përfshijnë edhe komente nga spektatorë që kishin paguar shuma të mëdha për bileta, por nuk e përjetuan këngën drejtpërdrejt në sallë.
Rachel luan rolin e Evita Peron në shfaqjen klasike të Tim Rice dhe Andrew Lloyd Webber, dhe ndonëse interpretimi i saj është vlerësuar, mënyra e prezantimit të disa pjesëve ka shkaktuar debat për balancën mes përvojës artistike dhe sigurisë së publikut. /Telegrafi/































































