LAJMI I FUNDIT:

Për herë të parë në historinë e shtetit gjeneralmajore një grua, aksioni “Brezovica” dhe vrasja brenda familjes në veri – top lajmet e javës

Për herë të parë në historinë e shtetit gjeneralmajore një grua, aksioni “Brezovica” dhe vrasja brenda familjes në veri – top lajmet e javës

Javën që po lëmë pas, saktësisht nga e premtja për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës dhe ushtrisë sonë në hierarkinë e FSK-së kemi gjeneralmajore një grua.

Po javën që po lëmë, Prokuroria Themelore në Ferizaj së bashku me Policinë e Kosovës vazhduan aksionin “Brezovica”, ku u arrestuan katër persona të dyshuar, në mesin e të cilëve edhe ish sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë.


Ndërkaq, të premten, ndodhi një vrasje brenda familjes në veri të vendit, ku një person vrau babanë dhe vëllain e tij.

Për herë të parë në hierarkinë e FSK-së një grua, Irfete Spahiu Gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale

Të premten për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës dhe ushtrisë sonë është vendosur që në hierarkinë e saj ta jetë gjeneralmajore një grua.

Në njoftimin e Presidencës u bë e ditur se presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar Irfete Spahiun me gradën gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale në FSK.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se FSK po forcohet dhe profesionalizohet vazhdimisht.

“FSK-ja po forcohet dhe profesionalizohet vazhdimisht. Vendosja e grave në pozita drejtuese do ta bëj ushtrinë tonë  më të fortë, më të besueshme dhe më profesionale. Pata nderin sot që gjeneral brigade Irfete Spahiun ta  dekretoj me gradën gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale në FSK.

Është hera e parë në historinë e shtetit të Kosovës dhe ushtrisë sonë që në hierarkinë e saj ta kemi gjeneralmajore një grua.

Gjenerale Spahiu është një ndër shtyllat e FSK-së, ndaj duhet bërë edhe më shumë që sa më shumë gra të përfshihen në përbërjen dhe udhëheqjen e FSK-së”, shkruan Osmani.

Aksioni “Brezovica”, katër të arrestuar, në mesin e tyre ish-sekretari i MI-së

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR), në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse javën që po lëmë pas kanë realizuar aksionin “Brezovica ” i cili është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme.

Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë lokacione të ndryshme dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, katër  persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë.

“Personat e arrestuar me inicialet Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 të KRPK-së dhe “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së”, thuhej në njoftim.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: pushkë e gjuetisë, revole, telefon celular, laptop dhe dokumente të ndryshme.

Aksioni “Brezovica”, bastisen edhe 6 lokacione – arrestohen 4 persona, në mesin e tyre ish-sekretari i MI-së
Lexo po ashtu Aksioni “Brezovica”, bastisen edhe 6 lokacione – arrestohen 4 persona, në mesin e tyre ish-sekretari i MI-së

Ndryshe, që nga dhjetori i vitit të kaluar, Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë më shumë se 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në pranga janë vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Saktësisht, aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë u arrestuan 10 persona, në mesin e tyre ishte edhe ish kryetari i Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë të kësaj komune.

Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar 2022. Gjatë operacionit të 6 janarit u arrestuan edhe 10 persona.

Policia e Kosovës aksionin “Brezovica” e vazhdoi edhe më 3 mars.

Vrasja brenda familjes në Mitrovicën e Veriut, viktimat ishin goditur me thikë në trup  

Një rast tragjik ka ndodhur në orët e mëngjesit të së premtes në veri të Mitrovicës, ku një person vrau babanë dhe vëllain, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicës njoftoi se rasti ka ndodhur rreth orës 5:00 -5:30 të mëngjesit në banesë, në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicë – Veri, ndërkaq ende nuk dihet motivi i vrasjes.

Në njoftim thuhet se i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babanë e tij M.B., dhe vëllanë binjak U.B dhe me këtë i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 e 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Në bazë të hetimeve të para dyshohet se viktimat janë goditur në trup me thikë”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes kanë dalur policia dhe prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, dhe ndaj të njëjtit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë. /Telegrafi/