Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi ka pritur në një takim kryetarët e komunave të Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit dhe Lipjanit.

Gashi në takim me kryetarët Shpend Ahmeti, Burim Berisha, Nexhat Demaku dhe Imri Ahmeti kanë diskutuar rreth ndotjes mjedisore në komunën e Obiliqit nga termocentrali dhe nga deponia e mbeturinave në Mirash.


Në këtë takim të përbashkët, kryetarët e komunave u dakorduan që tash e tutje t'i koordinojmë veprimet dhe të dalin me veprime konkrete.

Kryetari Gashi ka shprehur shqetësimin e tij pasi që qytetarët e këtyre komunave po përballen me këto probleme.

Edhe kryetari Shpend Ahmeti tha se duhet të bëhen koordinime në plane për të rregulluar problemin e ambientit dhe ndotjes, sipas të cilit edhe pse banorët e Obiliqit janë më së shumti të prekur nga ndotja e ambientit, të prekur janë edhe qytetarët e tjerë të komunave përreth.

Gashi së bashku me mysafirët kanë vizituar edhe deponinë e mbeturinave në Mirash, ku kanë kërkuar që të bëjnë një zgjidhje dhe që të bëhet gjelbërimi.

Adil Januzi, drejtor i Divizionit të thëngjillit në Mirash tha se kanë bërë aq sa kanë mundur, por kryetari Gashi e ka kundërshtuar atë duke i thënë se KEK-u nuk ka bërë asgjë dhe se qytetarët po përballen me sëmundje të ndryshme si shkak i pluhurit që shkakton KEK-u. /Telegrafi/