LAJMI I FUNDIT:

Për kë është ndëshkimi?

Për kë është ndëshkimi?
Ilustrim

Rrëfenjë kineze
Përktheu: Bajram Karabolli

Në buzë të një rruge që të çonte në fshat, ishte një statujë hyjnie prej druri, e vendosur pranë një tempulli të vogël. Një këmbësor, i cili shkonte diku, ndalet para një kanali të mbushur me ujë. Për të kapërcyer kanalin merr statujën e hyjnisë, e vendos nga njëra anë e kanalit në tjetrën, pra e bën si urë dhe shkel mbi të, duke e kaluar kanalin pa u lagur.

Më vonë, vjen një udhëtar tjetër dhe, kur shikon statujën që përfaqësonte perëndinë të shtrirë ashtu, i indinjuar, e ngre dhe e vendos përsëri në piedestalin e saj. Por, statuja e qorton atë se nuk i kishte blatuar temjan dhe e dënon duke i dhënë një dhimbje koke të dhunshme.


Gjykatësi i Ferrit dhe demonët që ishin në atë tempull, tërë respekt, e pyesin statujën e hyjnisë:

– Njeriun që ju shkeli duke kaluar mbi ju, për të kapërcyer kanalin, nuk e ndëshkuat, kurse atë tjetrin që ju ngriti dhe ju nderoi, ju e ndëshkuat me një dhimbje koke të fortë. Pse?

Dhe statuja e hyjnisë përgjigjet e thotë:

– Ah! Po ju nuk e dini se ndëshkimi është vetëm për të mirët!