Peja shkëlqen në Stamboll – nderim për suksesin e balerinave në festivalin ballkanik

Në kuadër të Festivalit Ballkanik të Vallëzimit, që u mbajt në Komunën Gaziosmanpaşa të Stambollit, Turqi, grupi i baletit nga Komuna e Pejës përfaqësoi me krenari kulturën dhe talentin kosovar.
Performanca e balerinave u vlerësua lart nga organizatorët, ndërsa një moment i veçantë ishte dekorimi i Profesor Tasim Dajçit nga ana e Kaymakamit të Gaziosmanpaşës, Iskender Yonden.
Ky çmim u dha në shenjë mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm të Profesor Dajçit në promovimin e artit dhe kulturës përmes baletit, si dhe për prezantimin dinjitoz të komunës së Pejës në arenën ndërkombëtare.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës, tashmë tradicionalisht merr pjesë në këtë festival të rëndësishëm, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke afirmuar talentin e të rinjve tanë në skena ndërkombëtare./Telegrafi/

















































