Partia Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e saj për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili organizohet nga platforma Liria ka Emër më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

Sipas njoftimit, PDK-së, ka nisur mobilizimin e saj në të gjitha strukturat partiake, anembanë Kosovës, me qëllim të angazhimit sa më të gjerë të qytetarëve për pjesëmarrje masive në këtë marsh qytetar.


“PDK vlerëson se ky marsh është thirrje e ligjshme dhe paqësore për drejtësi të paanshme, në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të luftëtarëve të lirisë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë. Në këtë periudhë kur procesi ka hyrë në fazën përmbyllëse, PDK kërkon drejtësi të plotë, të barabartë dhe larg çdo ndikimi politik”, njofton PDK.

Në njoftim thuhet se Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare, e lindur nga nevoja për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të vërtetë historike përbën padrejtësi ndaj sakrificës së popullit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët që në frymën e unitetit dhe respektit institucional, të bashkohen më 17 shkurt në Prishtinë për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Marshi synon të përcjellë mesazhin se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg ndikimeve politike, duke respektuar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vitin e kaluar janë organizuar pesë protesta me thirrjet "Drejtësi per Çlirimtarët".

Protesta e parë është mbajtur në Prishtinë, më pas në Hagë, Tiranë, Strasburg e në Shkup. /Telegrafi/