PDK dhe LVV fajësojnë Përparim Ramën për dështimin e seancës në Kuvendin Komunal të Prishtinës

Ka dështuar të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës, pasi pushteti së bashku me asamblistë të Aleancës Kosovës e Re (AKR) dhe asamblistët e pavarur e kanë lëshuar sallën, duke e lënë Kuvendin pa kuorum.
Rreth kësaj situate kanë reaguar asamblistët e PDK-së edhe LVV-së, transmeton Telegrafi.
Leutrim Retkoceri (PDK), ka shkruar se "Përparim Rama e braktisi sot sallën e Kuvendit Komunal, bashkë me asamblistët e pushtetit, vetëm pse Plani për betonizimin e 70 hektarëve tjerë në Çagllavicë– pika e tij e preferuar e cila ishte e 14-ta – nuk u vendos si pika e parë në rend dite, ashtu siç kërkoi".
"Për të nuk ka rëndësi a mbetet qyteti pa pastrim, qytetarët pa shërbime, punëtori i “Pastrimit” pa pagë, apo a vazhdon tallja me përgjegjësinë që e ka. Ai e pamundësoi edhe shqyrtimin e Raportit Financiar të Komunës, ku më shumë se 10 milionë euro janë marrë nga përmbarimi – pasojë direkte e keqqeverisjes së tij", deklaroi Retkoceri.
Ndërsa, asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla ka shkruar se Rama ka ikur nga mbledhja, duke pamundësuar diskutimin.
"Kryetari Përparim Rama, bashkë me grupin e tij të asambleistëve të LDK-së dhe partnerët e tyre të koalicionit, ikën nga mbledhja e Kuvendit Komunal dhe pamundësuan diskutimin për shumë probleme të përditshme të qytetarëve të Prishtinës. Papërgjegjësi dhe padrejtësi e LDK-së ndaj qytetit dhe qytetarëve", ka pohuar ai. /Telegrafi/








































