Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vushtrrisë sot ka mbajtur një takim me pedagoget dhe psikologet e angazhuara në shkollat e Komunës së Vushtrrisë.

Ky takim është mbajtur pas dy vrasjeve të fundit në Vushtrri, shkruan Telegrafi.


Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e shtimit të ligjëratave nga psikologet dhe pedagoget mbi tema si toleranca dhe diversiteti, empatia, dhuna dhe pasojat e saj.

"Qëllimi i këtyre aktiviteteve është rritja e vetëdijes te brezat e rinj për t’u përballur me fenomenet negative në shoqëri”, thuhet në njoftim.

Nga takimi janë nxjerrë disa rekomandime si rritja e numrit të programeve edukativo-kulturore, promovimi i talenteve të rinj, promovimi i mësimdhënësve, rëndësia e këshillimit të nxënësve nga psikologët shkollorë dhe promovimi i platformave edukative dhe arsimore.

“Institucionet duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të adresuar këto çështje dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për komunitetin”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/