Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj deklaratave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila kishte thënë se ai nuk ka mandat për të përfaqësuar vendin në dialogun me Serbinë.

Pas takimit në Bruksel me ndërmjetësin e BE-së, Peter Sorensen, dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, Bislimi tha se qëndrimet e LDK-së janë “të palogjikshme”.


“Është pak interesant që ky budallallëk ka arritur edhe në Bruksel. Unë jam zv. kryeministër në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ngarkuar edhe për temën e dialogut. Mandatin ma ka dhënë qeveria dhe vetëm qeveria mund ta tërheqë atë. Nuk ma ka dhënë LDK-ja e s’mund të ma marrë. Gjithçka tjetër është e palogjikshme, ngjashëm me shumicën e qëndrimeve të këtij subjekti politik dhe subjekteve të tjera që po hasim muajve të fundit”, u shpreh Bislimi.

Rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve u zhvillua pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht.

Ndryshe, ndonëse takime të nivelit të kryenegociatorëve janë mbajtur, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Për këtë ngjarje, Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Më 10 qershor, pas një takimi mes kryenegociatorëve, Sorensen paralajmëroi se po bëheshin përgatitje për një takim të ri të nivelit të lartë .