LAJMI I FUNDIT:

Parregullsi dhe lëvdata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit

Parregullsi dhe lëvdata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit

Votimi me asistencë në procesin zgjedhor, ushtrimi i presioni mbi votuesit, persona të paautorizuar në hyrje apo afërsi të qendrave të votimit, janë vetëm disa nga parregullsitë e identifikuara nga organizatat joqeveritare, që kanë monitoruar zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Megjithatë, sipas tyre këto incidente nuk mund ta cenojnë integritetin apo besueshmërinë e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet komunale të 17 tetorit, që janë zhvilluar në 38 komuna, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë.


Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, organizatë kjo që ka monitoruar procesin zgjedhor, thotë se janë evidentuar parregullsi jo të mëdha, por që duhet të evitohen në zgjedhjet e ardhshme.

“Ka pasur parregullsi të vogla, ka pasur vendvotime ku qasja e personave me aftësi të kufizuara ka qenë e pamundur, parregullsi këto që nuk arrijnë të dëmtojnë imazhin e mirë që Kosova ka përçuar përmes zgjedhjeve. Pavarësisht që këto parregullsi kanë qenë të vogla, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mundohet t’i evitojë këto parregullsi, aty ku ka mundësi”, thotë ajo për REL.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që ka monitoruar procesin zgjedhor, thotë se votimi me asistencë edhe në këtë proces ishte një prej fenomeneve më të shprehura. Në mbi 50 për qind të vendvotimeve, numri i rasteve të votimit me asistencë sillet nga 10 deri në 50 raste.

Kurse, nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është regjistruar fare, edhe kur janë parë votues të grupmoshave të reja të cilëve u është ofruar asistencë.

Në një komunikatë për media të këtij koalicioni thuhet se në raste të izoluara, posaçërisht në zonat rurale, janë vërejtur persona të paautorizuar në hyrje apo afërsi të qendrave të votimit, që mund të shihen si ushtrim i presionit ndaj votuesve. Edhe vështirësitë në gjetjen e emrit në listën e votuesve kanë qenë të shprehura gjatë gjithë ditës se diel, më 17 tetor.

Komisionit Qendror i Zgjedhjeve ka vlerësuar se procesi zgjedhor ka shkuar në përgjithësi qetë dhe pa incidente të theksuara. Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, në një konferencë për media ka thënë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet.

“Ky proces është i rëndësisë së veçantë, pasi përmes tij do të dimë për gjendjen e çdo vendvotimi dhe natyrisht se mund të evidentohen edhe parregullsitë eventuale. Në fund të pranimit të materialit zgjedhor do të kemi një raport të detajuar lidhur me gjetjet”, ka thënë Elezi.

Zgjedhje të lira dhe demokratik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim një delegacion të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, të kryesuar nga eurodeputeti Lukas Mandle dhe eurodeputetja Viola von Cramon, ka vlerësuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale duke konfirmuar standardin e ndërtuar nga Kosova për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Në një komunikatë nga Presidenca thuhet se “sipas informatave që vijnë nga institucionet tona, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat e kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ndërkaq tha se Kosova mbetet kampione e organizimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve të lira.

“Është e arritur e madhe për Kosovën, një shtet që ende po e bën shtetndërtimin, të organizojë zgjedhje e që lirisht mund të merren si model për shtetet e rajonit dhe në një mënyrë, në këtë drejtim po krahasohet me shtete që e kanë një demokraci shumë më të konsoliduar dhe më të qëndrueshme”, thuhet në një komunikatë të KMDLNJ-së.

Ankesat e subjekteve politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë, ka njoftuar se gjatë ditës së diel, më 17 tetor, ka pranuar 21 ankesa lidhur me zgjedhjet lokale. Kurse gjatë ditës së hënë nuk është raportuar ndonjë ankesë nga subjektet politike apo organizata joqeveritare.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), thotë për Radion Evropa e Lirë se ankesat kryesisht kanë të bëjnë me pretendimin se është thyer heshtja zgjedhore kryesisht përmes platformave online.

“Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës një ankesë kundër Partisë Liberale Egjiptiane, Lëvizja Vetëvendosje ka parashtruar gjashtë ankesa kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur tri ankesa kundër Lëvizjes Vetëvendosje, Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu ka parashtruar një ankesë kundër Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka parashtruar dy ankesa kundër Iniciativës Qytetare për Obiliq, Partia Demokratike e Kosovës ka parashtruar gjashtë ankesa kundër listës së pavarur Bekim Jashari dhe BIRN (organizatë joqeveritar) ka parashtruar një ankesë kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe një kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thotë ai.

Personat e ndaluar

Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë përcjellë nga afër procesin zgjedhor deri në numërimin përfundimtar të të gjitha votave.

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se në procesin zgjedhor të 17 tetorit janë ndaluar 14 persona si të dyshuar. Personat e ndaluar, në gjashtë raste të ndara, sipas Prokurorisë dyshohen për dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin, falsifikim të rezultateve të votimit, pengim të procesit të votimit si dhe për veprën cenim i fshehtësisë së votimit.

Personat e ndaluar janë nga Komuna e Kllokotit, Suharekës, Skenderajt, Malishevës dhe Fushë Kosovës.

Deri në pesë vjet burgim për pengim në proces të votimit

Vjedhja e votës ose keqpërdorimi i saj mund të konsiderohet si vepër penale dhe ekzistojnë mundësi ligjore për ndjekjen e manipuluesve.

Kodi Penal i Kosovës parasheh pesë vepra penale që kanë të bëjnë me dënimet për shkak të manipulimeve, mashtrimeve, falsifikimeve dhe parregullsive të tjera.

Personat, për të cilët dyshohet se kanë kryer këto vepra penale, mund të dënohen deri me pesë vjet heqje lirie.

Në trend Lajme

Më shumë
Rohde: Gjermania ndalon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Rohde: Gjermania ndalon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Politikë
Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Lajme
Kurti: Unë nuk mund të imponoj asociacion të komunave në Republikë, u takon vet komunave ta bëjnë atë

Kurti: Unë nuk mund të imponoj asociacion të komunave në Republikë, u takon vet komunave ta bëjnë atë

Lajme
Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Lajme
Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor pasi shkaktoi aksident me fatalitet

Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor pasi shkaktoi aksident me fatalitet

Lajme
Kosova përballë varfërisë dhe migrimit, ekspertët kërkojnë reforma sociale

Kosova përballë varfërisë dhe migrimit, ekspertët kërkojnë reforma sociale

Sociale
Kalo në kategori