Parlamenti Britanik pezulloi seancën për shkak të vdekjes së Diogo Jotas: Shikoni momentin kur mësuan lajmin e tmerrshëm

Seanca e sotme e Parlamentit Britanik u ndërpre përkohësisht pas lajmit të trishtë për vdekjen e futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota.
Jota ndërroi jetë tragjikisht në Spanjën veriore së bashku me vëllain e tij, Andre, pas një aksidenti të rëndë me supermakinën Lamborghini që ai po drejtonte.
Makina doli nga rruga, u përmbys dhe u përfshi nga flakët pak pas orës 00:30, ndërsa Jota po udhëtonte drejt tragetit që do ta çonte në Angli.
Shërbimet e emergjencës u njoftuan menjëherë, por fatkeqësisht vëllezërit nuk mundën të shpëtoheshin. Identifikimi i tyre u bë në bazë të targave të automjetit.
Lajmi i trishtë tronditi botën e sportit dhe jo vetëm, ndërsa Ministrja e Sportit në Britaninë e Madhe, Lisa Nandy, njoftoi këtë ngjarje tragjike në Parlament.
“Sapo morëm këtë lajm të trishtueshëm, pak minuta para se të hynim këtu, se Diogo Jota ka humbur jetën tragjikisht në moshën 28-vjeçare. Zemrat tona janë të thyera dhe mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e tij”, deklaroi Nandy, ndërsa seanca u ndërpre për t’i bërë homazh lojtarit të Liverpoolit. /Telegrafi/




































