LAJMI I FUNDIT:

“Parku kombëtar” nuk e pengon rrugën Tetovë – Prizren

“Parku kombëtar” nuk e pengon rrugën Tetovë – Prizren

Shpallja e Malit Sharr për Park nacional nuk është pengesë për idenë e ndërtimit të rrugës Tetovë-Prizren. Por deri në realizimin e kësaj ideje ende nuk ka diçka konkrete krahas fizibiliti studimit dhe paralajmërimeve politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Hisen Xhemaili, drejtor i Drejtorisë së ambientit jetësor pranë Ministrisë së Ekologjisë, shprehet se shpallja e Malit Sharr si Park Kombëtar nuk do të pengojë këtë projekt.

“Kemi bërë konsultime edhe me ekspertë dhe institucione shtetërore, dhe kemi ardhur në konstatimin se shpallja e Malit Sharr Park Kombëtar nuk është pengesë për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren. Në bazë të një studimi që e kemi, rruga do të ndërtohej në pjesën e quajtur Zona e Qëndrueshme Zhvillimore dhe do të kalonte nga disa fshatra të Malësisë së Tetovës, ku do të duhej të ndërtohej edhe tuneli. Por, kjo është e ndërlidhur edhe me palën kosovare, e cila ka shprehur interesim për ndërtimin e kësaj rruge”, tha Xhemaili.

Anela Stavrevska, nga UNEP Programi Evropian për Mjedis Jetësor, thekson se në të ardhmen kjo iniciativë mund të jetësohet, megjithatë thekson se në dhjetë vitet e para është mirë që mos të ndërmerren punime derisa të konsolidohet Parku kombëtar.


“Qëllimi ynë është që të mbrojmë Malin Sharr nga një zhvillim i pakontrolluar. Me siguri ndërtimi i rrugës nuk pengon, por të hyjmë në detaje për hapjen e rrugëve të reja është shumë herët, sepse duhen elaborate të shumta për mbrojtjen e natyrës, ka procedura, rregullore në shtet, të cilët investitori duhet t’i parashtrojë që të jepet leja e ndërtimit. Ne kemi raste të këtilla në shtetet tjera, ku rrugët kalojnë në parqet kombëtare, por duhen bërë shumë analiza, sa automjete do të lëvizin në atë rrugë, a ka qëndrueshmëri ekonomik e kështu me radhë. Vetë ideja për ndërtimin e tuneleve është shumë e madhe, si do të sillet makineria përmes asaj rruge që është shumë e ngushtë, ku mezi kalojnë dy automjete. Si ide është në rregull, por kur do të hyjmë në detaje, është shumë komplekse dhe këtë do ta kishim lënë në një fazë të mëtutjeshme, sepse tash krijojmë Park Nacional, I cili duhet të konsolidohet në dhjetë vitet e para, kurse për më tutje, ndarja në zona nuk do të pengojë për zhvillim të mëtutjeshëm”, tha Stavrevska.

Interesim për ndërtimin e kësaj rruge ka shfaqur edhe Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin. Por, nëse merren shembull zvarritjet që janë bërë deri tani për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, në një periudhë shumë të afërt nuk mund të pritet që të fillojë realizimi konkret i kësaj rruge, e cila do të shkurtonte distancën nga Tetova për në Prizren në 59 kilometra. Kërkesë të kamotshme për ndërtimin e kësaj rruge ka parashtruar edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore së bashku me bizneset tetovare, në mënyrë që të rritet volumi i shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

Ndërkaq, shpallja e Malit Sharr për Park Nacional do të sjellë zhvillimin e turizmit malor dhe beneficione për popullatën lokale që jeton pranë tij. Kështu thonë pronarët e disa bizneseve në Kodrën e Diellit, të cilët tashmë një kohë të gjatë presin dhe përcjellin turistë të huaj. Shteti deri më tani nuk ka krijuar kushte infrastrukturore dhe mbështetje për këto biznese, por ata në mënyrë vetanake kanë mbijetuar dhe presin ditë më të mira pasi që të shpallet edhe zyrtarisht nga Kuvendi Mali Sharr për Park Nacional.

Demir Seferi në të kaluarën ka punuar në Kroaci pikërisht në një zonë të mbrojtur dhe është i vetëdijshëm për beneficionet që sjell kjo iniciativë. Ai tashmë në shpatiet e Malit Sharr ka hapur një restorant me ushqime tradicionale nga bio-ferma, ndërsa krahas kësaj ka rreth 500 dhen dhe 20 lopë. “Banorët duhet të vetëdijesohen se kjo është në të mirë të tyre, sepse vetëm nga akomodimi i turistëve mund të përfitohet shumë. Shteti nuk ka bërë shumë në këtë drejtim, por ne si banorë duhet që vet të angazhohemi sepse të gjitha kushtet janë për zhvillim të turizmit”, thotë Demir Seferi, pronar i Bio Fermës dhe restorantit “1 Maji”.

Nga banorët lokal të fshatrave të Malësisë së Tetovës furnizohet edhe Hotel “Skardus”. Këto prodhime u ofrohen turistëve, kurse ky sektor në të ardhmen duhet edhe më shumë të stimulohet, sidomos tek popullata vendore me qëllim që turizmi malor të merr zhvillim të hovshëm. Kështu thotë pronari i Hotel “Skardus”, Hashim Hasani. “Gastronomia është veprimtaria kryesore që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit malor. Në të ardhmen, ne hotelierët, kuzhinierët, guidat turistike, banorët lokalë, duhet që të angazhohemi më shumë që Mali Sharr të jetë një shembull i mirë për zhvillimin e turizmit. Në gati se pesë vite shfrytëzojmë të gjitha produktet që jep biodiversiteti i Malit Sharr, dhe këtë ua ofrojmë vizitorëve”, thotë Hasani.

Ajo që është atraksion kohëve të fundit, është edhe ecja me kuaj nga Kodra e Diellit e deri tek Ferma “1 Maji” apo restoran “Zabeli”. Naser Xhemaili tashmë që dy vite merret me këtë lloj transporti për vizitorët. “Ky është viti i tretë që organizojmë udhëtime me kuaj nëpër Kodrën e Diellit dhe zonat tjera. E vërejtëm se ka nevojë dhe kërkohet nga ana e turistëve prandaj mendojmë që në të ardhmen ta zhvillojmë edhe më shumë këtë veprimtari”, tha Xhemaili.

Nga ana tjetër, shumë shpejt pritet që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shpallë Malin Sharr për Park Nacional. Parku Nacional pritet që të përfshijë një territor mbi 62 mijë hektarë, duke filluar nga Parku Nacional në Mavrovë e deri në Komunën e Jegunocit, përmes Komunës së Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës, Tetovës dhe Tearcës.

Në këtë territor do të përfshihen 30 fshatra, kryesisht rrëzë Malit Sharr. Parku Nacional do të ketë tri zona edhe atë zonën e rreptë të mbrojtur, zonën aktive për menaxhim dhe zonën zhvillimore. Kjo u tha gjatë një vizite në një pjesë të Malit Sharr, mbi Kodrën e Diellit, nga përfaqësues të Ministrisë së Ekologjisë, Zyrës së Kombeve të Bashkuara, Programit Evropian për Mjedis Jetësor dhe Shoqatës Ekologjike Maqedonase.

“Me rëndësi që debati është mbyllur. Në seancën e fundit të Kuvendit nuk ka patur kuorum, por në njërën nga seancat e radhës, kur të jetë në rend dite, deputetët vetëm duhet që të votojnë. Sipas informatave që kam, më së voni javën e ardhshëm do të mbahet seanca ku do të votohet shpallja e Malit Sharr për Park Nacional. Punët tashmë fillojnë sepse pas tre muajve duhet që themelohet ndërmarrja që do të menaxhojë këtë Park Nacional”, tha Ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini.

Disa shoqata dhe ekspertë që janë angazhuar për përpilimin e draft-versionit dhe planit menaxherial për shpalljen e Malit Sharr thonë se beneficionet do të jenë të shumta për këtë zonë, kurse në të ardhmen pritet që në afat prej tre muaj pas sjelljes së ligjit në Kuvend të themelohet edhe Ndërmarrja Publike Shtetërore që do të menaxhojë me Parkun Nacional./Koha.mk/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori