LAJMI I FUNDIT:

Parandalimi i kancerit

Parandalimi i kancerit

Çdokush mund të preket nga kanceri dhe, jo rrallë mund të parandalohet. Por, çfarë mund të bëni për të reduktuar rrezikun nga kjo sëmundje që mund të prekë çdo pjesë të trupit tonë.

Dr. Brunilda Profka-Haxhiu
Onkologe
+386 49 933 980
brunilda.haxhiu@spitaliamerikan.com
www.spitaliamerikan.com

Sipas shoqatave ndërkombëtare të kancerit, ekzistojnë evidenca të forta që rreziku për zhvillimin e kancerit mund të reduktohet nëpërmjet stilit të shëndetshëm të jetës:
• Mos përdorimi i duhanit
• Aktiviteti i rregullt fizik
• Konsumi i ushqimeve të shëndetshme
• Pjesëmarrja në programe screeningu sipas protokolleve të rekomanduara
• Marrja në konsideratë e vaksinimit kundër Human Papilomavirus (HPV)

Çdokush mund të preket nga kanceri!
Një nga faktorët me të mëdhenj që e predispozon një person ndaj kancerit është mosha: tre nga katër raste me kancer gjenden te personat mbi moshën 55 vjeç. Por ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në rrezikun nga kanceri dhe disa prej tyre janë të ndryshueshëm. Njerëzit janë në kërkim të shumë rrugëve për të parandaluar kancerin dhe natyrshëm lind pyetja: A mund të parandalohet kanceri?


Jo rrallë kanceri mund të parandalohet. Evidencat tregojnë që vdekjet nga kanceri në më të shumtën e rasteve mund të parandalohen nëse nuk do vazhdonin të pinin duhan dhe secili të merrte hapa për të përmirësuar shëndetin e tyre. Sigurisht që ka një “nëse” të madhe.

Por, a ka një mënyrë që na garanton që ne apo njerëzit tanë të dashur nuk do të preken nga kanceri?

Deri më tani, nuk kemi gjetje që na dëshmojë për parandalimin e çdo rasti me kancer. Ne dimë që ka mënyra për të parandaluar shumë raste me kancer në grupe të mëdha të popullatës. Për shembull, pothuajse të gjithë kanceret e cerviksit shkaktohen nga Human Papilomavirus(HPV). Këtij virusi i atribuohen gjithashtu dhe kanceret e vulvës, vaginës, penisit, anusit dhe fytit.

Në vazhdën e ndjekjes se një stili jete të shëndetshëm dhe udhëzimet e screeningut të kancerit, vaksinimi kundër HPV do të ishte një hap përpara parandalimit te këtyre llojeve të kancerit të lartpërmendur.

Zgjedhjet e stilit të jetës mund të parandalojnë kancerin!
Për njerëzit që nuk e pinë duhanin, faktorët më të rëndësishëm të rrezikut nga kanceri që mund të ndryshojnë janë: pesha e trupit, dieta dhe aktiviteti fizik. Një e treta e gjithë vdekjeve nga kanceri lidhen me dietën dhe aktivitetin fizik, që përfshin të qenit mbipeshë ose obezë, ndërsa një e treta shkaktohet nga produktet e duhanit. Disa prej dietave dhe ushtrimeve të rekomanduara sipas shoqatave ndërkombëtare të nutricionit dhe komiteteve këshilluese për aktivitetin fizik janë:

Arritja dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme gjatë gjithë jetës

Të qenit fizikisht aktiv
o Adultët
Ushtroni së paku 150 min aktivitet fizik me intesitet të moderuar ose 75 min aktivitet me intensitet më të madh në ditë, e preferueshme gjatë gjithë javës.
o Fëmijët dhe adoleshentët

Ushtroni së paku një orë aktivitet fizik të moderuar për çdo ditë, me se paku 2.5 orë aktivitet aerobik me intensitet të moderuar çdo javë.

Kufizimi i sjelljeve sedentare si qëndrimi ulur, qëndrimi shtrirë, të parit TV dhe forma të tjera të argëtimit para ekraneve.

Kryerja e disa aktiviteteve fizike mbi ato të zakonshmet, nuk ka rëndësi niveli I aktivitetit, ka shumë përfitime në shëndet.

Ushqehuni shëndetshëm ku baza të jenë ushqimet bimore.

Kryeni kontrollet rutinore mjekësore
o Mamografia
Femrat mbi 40 vjeç dhe më të mëdha në moshë duhet të bëjnë mamografi çdo vit dhe duhet të vazhdojnë derisa gëzojnë shëndet të plotë ose deri në moshën 70 vjeç nëse s’ka faktorë të tjerë risku.
o Kolonoskopia
Fillon nga mosha 50 vjeç, për të dy gjinitë meshkuj dhe femra me rrezik mesatar për zhvillimin e kancerit kolorektal duhet t’i nënshtrohen njërit prej testeve :
• Sigmoidoskopia fleksible çdo 5 vjet
• Kolonoskopia çdo 10 vjet
• Barium enema me kontrast çdo 5 vjet
• Kolonoskopia virtuale çdo 5 vjet
o Pap-test
Të gjitha femrat duhet të fillojnë testimin për kancerin e cerviksit në moshën 21 vjeç. Femrat nga mosha 21 në 29 vjeç duhet të kryejnë Pap-testin çdo 3 vjet. Testimi për HPV nuk duhet të fillojë në këtë grup-moshë (edhe pse gjatë ndjekjeve Pap-testi mund të rezultojë jo normal). Duke filluar nga mosha 30 vjeç mënyra e preferueshme për kontroll është kombinimi i Pap-testit me testin për HPC çdo 5 vjet deri në moshën 65 vjeçare. Një opsion tjetër i arsyeshëm për femrat nga 30-65 vjeç është testimi çdo 3 vjet vetëm me Pap-test.

Përkujdesje të tjera shëndetësore
o Secili duhet të kontrollojë lëkurën për nishanet prezente në trup që janë të reja, të mëdha ose me formë të çrregullt; me më shumë se dy ngjyra ose që ju ndryshon ngjyra.
o Një bisedë e hapur me mjekun e familjes ndihmon në marrjen e masave parandaluese në kohën e duhur dhe nëse njeri prej rezultateve sugjeron praninë e mundshme të kancerit atëherë duhet të eksplorohet më tej.
o Femrat në të 20’t dhe 30’t duhet të kryejnë ekzaminimin klinik të gjirit si pjesë ekzaminimit shëndetësor periodik nga mjeku specialist çdo vit. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Kalo në kategori