Paralajmërimi për shkarkim nga Abdixhiku, Tahiri: Lideri i mirë nuk e kall shtëpinë e tij

Zgjedhjet e 12 tetorit dhe diskutimet për koalicionet në balotazhin e nëntorit duket se kanë nxjerrë në pah pakënaqësi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), konkretisht mes kandidatit për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe udhëheqjes qendrore të partisë.
Kjo pasi Tahiri ka arritur një marrëveshje paszgjedhore në Vushtrri me kundërshtarin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, transmeton Telegrafi.
Sipas reagimit të LDK-së, marrëveshja është bërë pa dakordimin e partisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të enjten paralajmëroi masa ndaj Tahirit, përfshirë edhe mundësinë e shkarkimit të tij nga partia.
Në reagim ndaj zhvillimeve të fundit, Xhafer Tahiri ka paralajmëruar se do të flasë të premten në një emision televiziv.
Në njoftimin e tij, ai i është drejtuar Abdixhikut me një mesazh “Lideri i mirë nuk e kall shtëpinë e tij!".
Gjithashtu, disa komentues akuzuan Tahirin se po dëshiron të punojë me skenar të Lëvizjes Vetëvendosje, por që ai hedhi poshtë këto pretendime.
Komuna e Vushtrrisë ka shkuar në balotazh, ku në garën e nëntorit do të përballen Ferit Idrizi nga PDK dhe Sylejman Meholli nga LVV. /Telegrafi/





















































