Paraburgim për pesë të dyshuarit për tentim-vjedhje në një argjendari në Kaçanik

Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit për pesë të pandehurit, tre shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Serbisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje dhe në tentativë vjedhja e rëndë.
Në njoftim thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal, Zajrete Muhaxheri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 01.02.2026, rreth orës 01:45, në Kaçanik, në një artari, të pandehurit në bashkëkryerje dhe tentativë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, me përdorimin e forcës dhe duke thyer kanë tentuar të depërtojnë në artari.
“Në atë mënyrë që i pandehuri B.H., kishte komunikuar vazhdimisht me telefon me të pandehurin M.M., për të kryer këtë vjedhje dhe të përgatitur me mjete shufre metalike (hebell), një palë dana, 5 çelsa të ndryshme, 3 kaçavida, një mjet i mprehtë skalper dhe doreza, ku të pandehurit M.M. dhe D.T., kanë thyer rrethojat e dritareve të hekurave duke tentuar që të futen brenda në artari, ndërsa tre të pandehurit B., R. dhe L., ishin duke qëndruar në automjetin pikap VW Caddy , pronë e L., të cilët ishin duke vëzhguar situatën, dhe shofer i kësaj veture ishte B.H., pastaj të njëjtit janë zënë në flagrancë duke tentuar të kryejnë vjedhjen dhe janë arratisur nga policia”- thuhet në njoftim.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.














































