Paraburgim për një muaj ndaj personit që dyshohet se pengoi gjyqtarin në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit D.Z., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2025 në fshatin Berishë, Komuna e Malishevës, kur i pandehuri dyshohet se ka tentuar të pengojë gjyqtarin N.Q. nga Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë, gjatë një seance në terren për një kontest pronësor, raporton Telegrafi.
Gjatë incidentit, i pandehuri fillimisht ka debatuar me avokatin e njërës palë dhe më pas është përballur me gjyqtarin, duke e shtyrë fizikisht në gjoks dhe duke e penguar në zhvillimin e procedurës.
Në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se lënia e të pandehurit në liri mund të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale, përfshirë mundësinë e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjen e veprës.
I pandehuri do të qëndrojë në paraburgim deri më 6 nëntor 2025, duke u llogaritur afati nga dita e arrestimit, më 7 tetor 2025. /Telegrafi/



















































