Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasje në Ferizaj në tentativë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave me inicialet B.Z.1. dhe B.Z.2., të dyshuar për përfshirje në veprën penale vrasje në tentativë, kryer në bashkëkryerje.
Sipas kësaj gjykate, vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Ferizajt dhe shqyrtimit të fakteve nga gjyqtari i procedurës paraprake, Ilir Bytyqi, nga Departamenti për Krime të Rënda.
Sipas të dhënave të hetimit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 26 gusht 2024, rreth orës 23:12, në një rrugë të një fshati në komunën e Ferizajt.
"Të dyshuarit fillimisht kanë tentuar ta fusin me forcë në veturën e tyre të dëmtuarin me inicialet B.B., por për shkak të rezistencës së tij nuk kanë arritur ta realizojnë këtë qëllim. Në përpjekje për ta privuar nga jeta, ata kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Pavarësisht se i dëmtuari ka arritur të largohet duke kaluar oborrin e shtëpisë së tij, ai është qëlluar me plumb në regjionin e barkut dhe në këmbën e djathtë",thuhet në komunikatë.
Gjyqtari Bytyqi ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për përfshirjen e të pandehurve në këtë ngjarje, andaj ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
"Palët janë njoftuar se mund të paraqesin ankesë ndaj këtij vendimi, por një gjë e tillë nuk e shtyn ekzekutimin e aktvendimit",thuhet në njoftim./Telegrafi/
















































