Paper Media në Kosovë hap dyert për “afrikanin” e talentuar shqiptar

Kohë më parë u publikua artikulli për Sokol Shepetenë në portalet kosovare, dhe pas shumë komenteve të lexuesve, kompania Paper Media nga Kosova, kompani profesionale që merret me komunikim dhe marketing, hap dyert për “Afrikanin” e vetëm shqiptar.
Kompania Paper Media kohë më parë ka kontaktuar redaksitë e portaleve që kanë publikuar lajmin për Sokol Shepetenë, për të marrë kontaktet e Sokolit shumë të talentuar për të biseduar rreth mundësisë së punësimit në cilësinë e “Sports Marketing Director”.
Madje, në letrën e tyre drejtuar redaksive, Paper Media thekson se edhe do të sigurojë akomodimin për Sokolin dhe familjen e tij.
“Të gjithë jemi të njëjtë pa dallim ngjyre. Ne jemi të mahnitur me të arriturat e Sokolit dhe me vështirësitë e tij për të ngritur edhe më lartë kombin shqiptar dhe vlerësojmë që është shumë e padrejtë ajo që i është bërë. Ne do të përkrahim këdo që me sukseset e tija personale dhe të merituara dëshiron të shënojë emrin e vendit të tij dhe vendit tonë amë Shqipërisë në botë. Për ne është e rëndësishme të valëvitet flamuri për suksese dhe shumë e palogjikshme që si shoqëri të privojmë dikë që dëshiron të fuqizojë edhe më shumë vlerat e vendit. Si popull kemi qenë gjithmonë të dashur dhe mikpritës andaj është shumë e padrejtë që të diskriminojmë dikë me aq shumë talent vetëm për shkak të ngjyrës dhe për asgjë tjetër dhe besojmë që ky talent duhet zhvilluar tutje, në promovimin e talenteve të reja shqiptare të sportit”, thuhet në letrën e Paper Media dërguar redaksive të ndryshme, përfshirë portalit Telegrafi.
Sokol Shepeteja, afrikani i vetëm shqiptar dhe sportist i dalluar, u privua nga e drejta e përfaqësimit të vendit të tij Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive me pretekstin fillestar se nuk mundet dikush me ngjyrë të valojë flamurin kombëtar të Shqipërisë.
Familja e Sokolit me prejardhje nga Afrika ishte vendosur në Shqipëri rreth 200 vite më parë dhe kishte ndihmuar në ndërtimin dhe modernizimin e Shkodrës.
Paper Media është kompani kosovare e komunikimit dhe marketingut.
E vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe prodhime audio¬vizuele, kjo kompani vlerësohet të jetë ndër kompanitë më profesionale të lëmisë së vet në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.
Kompania ka punuar edhe shumë video reklama që në Kosovë dhe Shqipëri u mirëpriten, duke përfshirë edhe reklamën e Aeroportit të Prishtinës, Albtelecomit dhe reklamat e Eagle Mobile të disa viteve më parë. /Telegrafi/









































