Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës 2025 është ngjarja që mblodhi rreth 130 biznese në “Sallën 1 Tetori” në Prishtinë të cilat prezantuan para më shumë se 8,000 pjesëmarrësve mbi 500 mundësi për punësim, praktikë profesionale dhe avancim në karrierë.

Ky panair konsiderohet si ngjarja më e madhe e punësimit në Kosovë.


Pjesëmarrësit në panair janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me organizimin, mundësitë dhe qasjen e drejtpërdrejtë që ky aktivitet ofroi, veçanërisht për të rinjtë, të cilët janë në qendër të arsyes së këtij organizimi.

Në fjalën e tij hyrëse. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde, theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për të mbështetur partnerët në nxitjen e zhvillimit ekonomik:

“Gjermania mbetet e përkushtuar në mbështetjen e partnerëve kombëtarë në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Një aspekt kyç i këtij përkushtimi është ofrimi i mbështetjes së synuar për qytetarët, duke ndihmuar në qasjen në mundësi karriere dhe përdorimin e njohurive dhe shkathtësive brenda vendit. Së bashku me partnerët, si Agjencia e Punësimit dhe universitetet publike, po bashkëpunojmë në zbatimin e iniciativave në mbështetje të të rinjve përmes programeve të trajnimit, praktikave, mbështetjes për start-up-e dhe punësim,” tha ambasadori Rohde.

Ndërkohë, Prof. Asoc. Dr. Majlinda Gjelaj, Prorektore për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në Universitetin e Prishtinës, theksoi se qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i mundësive të zhvillimit në karrierë, të studimit dhe të punësimit për studentët dhe të rinjtë:

“Panairi i Karrierës shërben si një platformë konkrete ku ata mund të informohen për perspektivat profesionale, të eksplorojnë fusha të ndryshme interesi dhe të ndërtojnë lidhje të drejtpërdrejta me punëdhënës potencialë dhe ofrues të mundësive për avancim akademik. Në këtë mënyrë, panairi jo vetëm që orienton studentët drejt rrugës së duhur, por gjithashtu i inkurajon të mendojnë në mënyrë strategjike për të ardhmen e tyre profesionale dhe personale,” tha Gjelaj.

Zëvendësministri në detyrë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Agron Dobruna, theksoi se Panairi i Punës dhe Karrierës është një ngjarje që ka dëshmuar sukses në çdo vit të organizimit dhe, siç tha ai, ka bërë bashkë kompani të njohura dhe punëkërkuesit:

“Ky panair ka krijuar ura të rëndësishme lidhëse mes ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, duke sjellë një vlerë të shtuar për ekonominë e vendit dhe për të rinjtë në veçanti,” u shpreh Dobruna.

Ky panair organizohet nga Agjencia e Punës e Republikës së Kosovës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, me mbështetje të Qeverisë Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.