“Pallati i Rinisë” me rregullore të re nga 1 prilli për dhënien me qira të hapësirave

Ndërmarrja Publike Lokale "Pallati i Rinisë" ka njoftuar se nga 1 prilli 2026 do të hyjë në fuqi rregullorja e re për procedurën e dhënies me qira të hapësirave të kësaj ndërmarrjeje.
Në njoftimin e bërë publik, thuhet se rregullorja e re është hartuar pas një procesi të vlerësimit të qirave nga ekspertë të licencuar të fushës.
“Që nga data 1 prill 2026 do të hyjë në fuqi Rregullorja e Re për procedurën e dhënies me qira të hapësirave të NPL ‘Pallati i Rinisë’ Sh.A.”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij institucioni, procesi ka përfshirë vlerësimin profesional të hapësirave dhe përcaktimin e çmimeve në bazë të sipërfaqes së secilës prej tyre.
“Rregullorja e re vjen pas një procesi të vlerësimit të qirave i realizuar dhe vlerësuar nga ekspertë të licencuar të fushës, duke përcaktuar çmimin dhe metrat e secilës hapësirë të N.P.L ‘Pallati i Rinisë’ Sh.A.”, thuhet më tej në njoftim.
Nga Pallati i Rinisë bëjnë të ditur se mbeten të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me bizneset dhe për të përmirësuar shërbimet për aktivitetet që zhvillohen në këtë hapësirë.
“Pallati i Rinisë mbetet i përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me bizneset, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e aktiviteteve të rëndësishme që ndikojnë në imazhin kulturor të kryeqytetit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/





















































