LAJMI I FUNDIT:

Paddy Ashdown

Paddy Ashdown

Mbrëmë, në moshën 77-vjeçare, ka ndërruar jetë Paddy Ashdown (Lord Ashdown), i cili ka qenë ndër politikanët më të njohur britanik dhe ndër përkrahësit e parë të çlirimit të Kosovës.

Ai ka lindur në Nju Delhi (Indi) dhe karrierën e ka filluar si ushtarak në shërbim të marinës, kurse më vonë si oficer i shërbimit sekret ushtarak britanik.


Ashdown ka shërbyer edhe në diplomaci, kurse nga viti 1983 deri më 2001 ka qenë deputet në Parlamentin Britanik dhe e ka përfaqësuar zonën elektorale të Yeovilit, të cilën, dekada më herët, e ka përfaqësuar Aubrey Herbert – i njohur edhe si miku më i madh i shqiptarëve në Britani të Madhe.

Lord Ashdown ka qenë më shumë i njohur si udhëheqës i partisë liberal-demokrate britanike, nga viti 1988 deri më 1999. Ka qenë politikan aq energjik, parimor dhe i aftë sa që edhe konservatorët dhe laburistët e ftonin në qeveri kur vinin në pushtet. Por, Ashdown i refuzonte këto kërkesa dhe thoshte se ‘unë në qeveri hyj vetëm kur partia ime t’i fitoj zgjedhjet’.

Në verën e vitit të vështirë 1998, Paddy Ashdown shkoi në Shqipëri dhe nga kufiri e kishte vështruar situatën në Kosovë. Kur u kthye në Londër, deklaroi para mediave: ’E kam parë Kosovën duke u djegur pamëshirshëm nga forcat serbe. Kosova është e bukur sikur Somerseti’.

Ky ka qenë një krahasim i fuqishëm i cili me siguri ka krijuar ‘tërmet’ në mendjen e anglezit.

Në vjeshtë të atij viti, Ashdown më ftoi të flisja për Kosovën në njërën nga mbledhjet në kuadër të konferencës vjetore të partisë liberal-demokrate që u mbajt në Brighton. Erdhi personalisht për ta dëgjuar fjalimin tim ku kishte edhe shumë pjes[tarë tjerë të kësaj partie që e udhëhiqte ai. E ndjente dhembjen e Kosovës sikur ne dhe ka qenë lobisti më i fuqishëm në Britani për sulm ushtarak kundër Serbisë dhe për angazhim të forcave tokësore.

Kur përfundoi lufta, Lord Ashdown ka qenë i interesuar që ta merrte pozitën e udhëheqësit të UNMIK-ut, por siç thoshte: ’Konstalacioni i forcave politike ndërkombëtare nuk e lejonte një gjë të tillë’.

Sot, situata në Kosovë me siguri do të ishte ndryshe (shumë më e mirë) sikur Ashdown të kishte shërbyer në këtë post.

Kosova nuk duhet t’i harrojë kurrë njerëzit si Lord Ashdown.