LAJMI I FUNDIT:

Pacolli reagon për keqpërdorimin e fotove familjare në TikTok: Paralajmëron masa ligjore

Pacolli reagon për keqpërdorimin e fotove familjare në TikTok: Paralajmëron masa ligjore

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj keqpërdorimit të fotografive të tij dhe të familjes së tij nga persona të panjohur në rrjetin social TikTok.

Pacolli ka bërë të ditur se dy llogari të rreme në këtë platformë po shpërndajnë imazhet e tij dhe të fëmijëve të tij, duke i mbishkruar me tekste të pakuptimta dhe të pavërteta.

Ai ka mohuar çdo lidhje me këto profile dhe ka kërkuar që përmbajtja e postuar të fshihet menjëherë.


“Abuzimet në TikTok janë bërë shqetësuese! Kohët e fundit, dikush po përdor dy llogari që nuk kanë asnjë lidhje me mua, duke shpërndarë fotografitë e mia dhe të fëmijëve të mi pa asnjë leje,” ka shkruar Pacolli në një reagim publik.

Ai u ka bërë thirrje ndjekësve dhe miqve të tij që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të raportojnë profilet e rreme.

Gjithashtu, ai ka paralajmëruar se nëse publikimet nuk hiqen, do të ndërmarrë masa ligjore kundër personave të përfshirë në këtë veprim të dënueshëm./Telegrafi/