LAJMI I FUNDIT:

Pacolli: Kosova dhe Kanadaja synojnë thellimin marrëdhënieve ekonomike

Pacolli: Kosova dhe Kanadaja synojnë thellimin marrëdhënieve ekonomike

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, priti në një takim ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, i cili është ambasador jo-rezident edhe në Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk.

Siç njofton Ministria e Jashtme, synimet e përbashkëta institucionale për thellimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, rritja e mbështetjes kanadeze për anëtarësimin e vendit në struktura euro-atlantike dhe organizata ndërkombëtare, si dhe investimet potenciale kanadeze në Kosovë, në veçanti në sektorin minerar ishin disa nga temat e diskutimit të këtij takimi.

“Përkrahja kanadeze për Kosovën ka qenë gjithmonë e pazëvendësueshme. Nga ndërhyrja e NATO-s, strehimi i refugjatëve kosovarë, kontributi në ruajtjen e paqes e deri tek shtet-ndërtimi dhe integrimi i vendit në strukturat ndërkombëtare. Tani është koha që t’i japim sinergji të reja bashkëpunimit dhe partneritetit në mes dy vendeve, në veçanti në fushën e investimeve ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës”, është shprehur kryediplomati kosovar Pacolli./Telegrafi/