Ndërsa është ende në pritje të shpalljes së vendimit në një proces penal federal, reperi i njohur Sean “Diddy” Combs ka shënuar një fitore ligjore.

Një gjykatë në New York ka hedhur poshtë një padi civile të ngritur ndaj tij nga një burrë, i cili pretendonte se muzikanti e kishte droguar dhe më pas sulmuar seksualisht në një klub nate, raporton TMZ.


Padia ishte paraqitur në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa paditësi – i identifikuar si “John Doe” – pretendonte se ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015. Sipas tij, atë kohë, si artist 23-vjeçar në fillimet e karrierës, kishte performuar në një klub nate në Los Angeles, ku ishte i pranishëm edhe Diddy.

Foto: Getty Images

Në dokumentin e paraqitur nga avokati Tony Buzbee, thuhej se paditësit i ishte hedhur diçka në pije, pas së cilës ai humbi ndjenjat. Ai pretendonte se ishte zgjuar në momentin kur Diddy po e sulmonte seksualisht. Gjithashtu, në padi theksohej se Combs e kishte kërcënuar se do t’ia shkatërronte karrierën nëse do të kundërshtonte.

Megjithatë, gjykatësja vendosi ta rrëzojë çështjen për shkak të afatit të parashkrimit. Sipas vendimit të gjykatës, në vitin 2015 – kur supozohet se ka ndodhur ngjarja – afati ligjor për paraqitjen e një padie të tillë ishte pesë vjet. Ndërkohë, ligji i ri i vitit 2019, i cili e zgjat këtë periudhë në 20 vjet, nuk mund të zbatohet retroaktivisht për rastin në fjalë.

Përveç padisë ndaj vetë Diddy-t, u hodhën poshtë edhe akuzat ndaj kompanive të tij, Bad Boy Entertainment dhe Combs Enterprises. Kjo përbën një nga disa fitoret e fundit ligjore për muzikantin në proceset civile, megjithëse dhjetëra padi të tjera ende mbeten aktive.

Ndërkohë, shpallja e vendimit në procesin penal federal ndaj tij është caktuar për 3 tetor. /Telegrafi/