Osmani paralajmëron konferencë për media pas deklaratave të Richard Grenell
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë një konferencë për media pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të adresuar deklaratat e fundit të emisarit amerikan Richard Grenell.
Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili konfirmoi se konferenca do të mbahet menjëherë pas rikthimit të Osmanit në Prishtinë.
Reagimi vjen pasi emisari amerikan, Richard Grenell, akuzoi Presidenten Osmani për "manipulim të fjalëve të Donald Trump", duke iu referuar një deklarate të saj se presidenti amerikan ka parandaluar së fundmi një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Grenell i quajti këto pretendime “absurde”, duke theksuar se Trump nuk ka dhënë ndonjë deklaratë të re dhe se ai i është referuar kohës kur u arrit Marrëveshja e Washingtonit gjatë mandatit të tij presidencial.
"Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump", shkroi Grenell në një reagim të tij publik.
Konferenca e paralajmëruar pritet të sqarojë pozicionin zyrtar të Presidentes së Kosovës lidhur me këtë përplasje verbale me ish-emisarin amerikan.






























